“BREXIT”, 48 orë vendimtare për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar

schedule17:52 - 16 Tetor, 2018

schedule 17:52 - 16 Tetor, 2018

Kryeministrja britanike Theresa May përpiqet të marrë mbështetjen e ministrave të saj dhe deputetëve lidhur me negociatat për BREXIT. Shefja e qeverisë së Londrës shprehet optimiste se mund të kërkojë një marrëveshje me Brukselin. Megjithatë Unioni nuk shprehet me nota optimiste.

Theresa May do të përpiqet të mbledhë ministrat pas vetes, në fillim të një 48 orëve kritike për Brexit. Të hënën, Kryeministrja u tha deputetëve se një marrëveshje me BE-në është “ende e arritshme” pavarësisht bllokimit të dukshëm mbi çështjen e kufirit irlandez. Zyrtarët e BE-së, megjithatë, kanë paralajmëruar se një Brexit pa marrëveshje është më afër se kurrë më parë. Ora po përfundon dhe sa vjen e afrohet samiti i udhëheqësve europianë, ku shpresohej të arrihej një marrëveshje. Britania e Madhe do të largohet nga BE në mars dhe shpresohej që të mërkurën drejtuesit e BE do të pranonin se ishte bërë përparim i mjaftueshëm për të thirrur një samit të posaçëm në nëntor për të finalizuar marrëveshjen e divorcit dhe për të paraqitur një deklaratë politike mbi marrëdhëniet tregtare post-Brexit.

Megjithatë, shpresat se kjo do të ndodhte u përballen me një problem të madh kur ministrat britanikë dështuan në arritjen e progresit lidhur me çështjen e kufirit Irlandez. Kryeministrja tha se dy palët nuk janë aq larg dhe se problemi i kufirit nuk duhet të pengojë të gjitha përpjekjet. Ajo u përpoq të siguronte deputetët se Mbretëria e Bashkuar nuk do të qëndrojë e lidhur pas rregullave kufitare të Bashkimit Evropian. Lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn tha se në bazë të komenteve të May, asgjë nuk ka ndryshuar. Deputetët kërkojnë që të mos ketë përsëri një kufi tjetër mes Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Londra dhe Brukseli kërkojnë të arrijnë një akord për një kufi pa kontrolle të rrepta mes Irlandës dhe asaj të Veriut. Megjithatë, palët janë ende larg nga arritja e një marrëveshjeje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!