FNSH arrestoi mbrëmë përmes një operacioni në kushte të larta sigurie një person të shumë kërkuar në Laç.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me policinë e Laçit, e cila kishte informacione për vendin ku fshihej i shumë kërkuari.
Abcneës.al mëson i arrestuari nga FNSH e Shkodrës është Bardhok Noka, të cilin policia e akuzon për dy krime.
Lexo edhe: Me maska dhe mburojë metalike, FNSH kap super të rrezikshmin në Laç
Ngjarja më e rëndë sipas policisë është ajo e 29 prillit të këtij viti, ku Bardhok Noka dhe një tjetër person kanë qëlluar me armë zjarri ndaj një makine tip BMW me qëllim vrasjen e personave që ndodheshin aty.
Për fat të mirë, objektivi shpëtoi.
Akuza e dytë lidhet me armëmbajtjen pa leje nga ana e Nokës, e cila ka të bëjë sërish me këtë ngjarje.
Njoftimi i policisë
Kurbin
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mamurrasi”.
Operacioni për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me FNSH Shkodër.
Kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe pas informacioneve të marra për vendndodhjen e një personi në kërkim, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin e koduar “Mamurrasi”.
Në kushte të larta sigurie dhe falë ndërhyrjes profesionale u bë kapja dhe prangosja e shtetasit B. N., 42 vjeç, banues në Kurbin.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale ”Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Shtetasi B. N., më 29.04.2020, në Mamurras, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti tip “BMW”, me drejtues shtetasin K. (N.). Sh.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al

