Superiorja do të humbasë edhe një tjetër lojtar me shumë vlera. Dejvi Bregu, pas largimit nga Skënderbeu, ka qenë në pritje të ofertave gjatë kësaj periudhe dhe kalimi në Poloni ishte opsion, sikurse edhe transferimi në Turqi. Gjithsesi ende nuk ka një marrëveshje të konkretizuar prej tij.
Në Kosovë raportojnë se në garë për shërbimet e Dejvi Bregut është futur Prishina, klub që ka bindur edhe lojtarë si Sabien Lilaj dhe Gledi Mici të nënshkruajnë. Bardhekaltrit duan me çdo kusht të fitojnë titullin kampion dhe për këtë po bëjnë përforcime të rëndësishme.
SKËNDERBEU E APOLONIA – Në Korçë po punojnë me merkato ‘low cost’. Mbetja në fuqi e dënimit të UEFA i ka dhënë një goditje të fortë Skënderbeut, që po tenton të ndërtojë një ekip me të rinj. Sigurisht duhen edhe elementë me eksperiencë, ndaj edhe bardhekuqtë kanë rikthyer Ditmar Bicajn.
Së fundmi, sikurse shkruan “Panorama Sport, sulmuesi Rafael Sosa i është vetëofruar Skënderbeut, madje është i gatshëm që të sjellë në Superiore edhe 3-4 lojtarë të tjerë argjentinas. 32-vjeçari ka dalë kampion me korçarët në vitin 2011, duke shënuar 13 gola në Superiore dhe është një njohje e vjetër në qytetin juglindor.
Zhvendosemi në Fier, aty ku Drago Bumbar ka kaluar testin dhe ka nënshkruar sipas gazetës së lartpërmendur. 22-vjeçari nga Mali i Zi më parë është aktivizuar në Serbi, në ligën e dytë. Sindelic Beograd ka qenë skuadra e Bumbar dhe me ta ai numëron 59 ndeshje në dy sezone. Në kampin fierak pritet edhe një mbrojtës i majtë nga Mali, Keita Modibo, për të cilin nuk ka shumë informacion. /abcnews.al

