Pandemia e koronavirusit ka treguar se kërcënimet e sigurisë nuk pushojnë në asnjë periudhë, ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu.
Kjo organizatë ka prezantuar në Sarajevë hulumtimin rajonal për çështje të sigurisë – SecuriMeter në Ballkanin Perëndimor.
Sipas studimit të kryer në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut, 64 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me situatën e sigurisë derisa krimi i organizuar, terrorizmi, kriza e emigrantëve dhe lajmet e rreme janë sfida të sigurisë për shumicën e prej tyre.
“Është mjaft interesante e dhëna që 82% e respodentëve e theksojnë krimin e organizuar si kërcënimin kryesor të sigurisë dhe 55% e kësaj përqindjeje thonë korrupsioni është ai që ushqen ekzistencën e tij”, tha Bregu.
Më shumë se 6,000 njerëz morën pjesë në hulumtim.
“Në Ballkanin Perëndimor 56% e qytetarëve mbështesin fuqishëm punën e organeve për zbatimin e ligjit në luftën kundër terrorizmit, por kur bëhet fjalë për krimin e organizuar ndërkombëtar 48% nuk janë të kënaqur”, tha Bregu.
Sipas saj, për 70% të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, kërcënimet e sigurisë tani janë transferuar në botën dixhitale dhe ata kanë frikë se fëmijët ose të afërmit e tyre të rinj mund të radikalizohen në internet.
“Kur u pyetën për ndikimin e dezinformimit, 76% e qytetarëve në të gjithë rajonin e konsiderojnë dezinformimin si një mënyrë të re të luftës, shifër pothuajse e njëjta prej 77% të atyre që i shohin lajmet e rreme si një problem të madh”, shtoi Bregu.
RCC u krijua në 2008 si pasardhëse e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, me synimin për të ndihmuar bashkëpunimin rajonal dhe për të mbështetur integrimin evropian dhe euro-atlantik në Evropën Juglindore./ REL