Brazili në festë pas titullit në Kupën e Amerikës

schedule12:15 - 8 Korrik, 2019

schedule 12:15 - 8 Korrik, 2019

Brazili është në festë pas fitores së Kupës së Amerikës. Trajneri Tite vlerësoi skuadrën, ndërsa mediat braziliane i bënë jehonë triumfit të parë pas 12 vjetësh.

Ishte një kremtim i merituar në stadiumin mitik.

Dhjetëra mijë tifozë brohoritën me të madhe në “Marakana” të Rio de Zhaneiros, ndërsa Brazili priste të merrte trofeun e Kupës së Amerikës, pas suksesit 3-1 në finalen ndaj Perusë.

Për një komb kaq të madh futbolli, 12 vjet pa asnjë sukses ishin shumë, ndaj edhe lumturia ishte e madhe.

Në pritje të një triumfi në Kupën e Botës, publiku dhe mediat le të kënaqen me arritjen kontinentale.

Brezi i Dani Alveshit, Tiago Silvës, portierit Alison, Roberto Firminos, Filip Kutinjos apo Gabriel Zhezusit besohet se ka hapur një epokë të re suksesi, dhe mungesa e Nejmarit nuk i prishi aspak punë.

Nuk mund të thuhet se ishte Brazili më i shkëlqyer i mundshëm, madje shpesh u vërshëllye, por rëndësi pati rezultati.

Edhe finalja ndaj Perusë ishte e vështirë, me vendasit që kaluan të parën në epërsi, me rrjetën e Evertonit, por me peruvianët që barazuan pak përpara fundit të pjesës së parë, kur Paulo Gerrero realizoi me penallti.

Pas pushimit, shkëlqeu Gabriel Zhezus, që riktheu avantazhin shumë shpejt, ndonëse sulmuesi i Mançester Sitit e mbylli keq ndeshjen.

Ai u përjashtua me karton të kuq në minutën e 71-të.

Vuajtjet morën fund, në sekondat përmbyllëse kur sulmuesi tjetër, Riçarlison, ktheu në gol një penallti për 3-1.

Ky triumf mund të quhet padyshim meritë e madhe e trajnerit Tite, që në 3 vjet ka kthyer besimin në ekip, si edhe lojën e bukur.

“Jam shumë i lumtur që fituam kupën në vendin tonë, madje pa humbur asnjë ndeshje, – tha Tite, – ishte sukses i merituar, edhe pse shumë i vështirë. Shpresoj që të kemi më shumë besim për në Botëror, apo kompeticionet e ardhshme. Merita ishte e gjitha e lojtarëve që dhanë maksimumin. Nuk më vjen mirë nga fjalët e Mesit, unë e trajtova si jashtëtokësor, por ai duhet të tregojë më shumë respekt”.

Gazetat braziliane patën rast të krenoheshin.

“O Dia”: Shkëlqen më shumë se një e verdhë! Selesao mundi Perunë dhe fitoi Kupën e Amerikës pas 12 vitesh! Në 13 edicionet e fundit ka fituar 6!

“Korreio Braziliense”: Kampioni u kthye! Mjeshtri Tite pati vështirësi, por arriti t’i kalonte të gjitha!

“Tribuna”: Brazili kampion, Danieli ishte ylli! Një vit e një ditë pas eleminimit në Botërorin e Rusisë, seleksioni buzëqesh përsëri!

“Estado de Minas”: Kthimi i kampionit! Në “Marakana” ishin 70 000 tifozë, dhe nga biletat u fituan 38.7 milionë realë brazilianë!

Kjo do të thotë se shuma e mbledhur nga shitja e biletave ishte mbi 10 milionë dollarë amerikanë.

Edhe tifozët brazilianë ishin euforikë, duke kujtuar kohët e lavdishme, vitet kur fitonin me Pelen, Zhairzinjon, Romarion, Ronaldon apo Ronaldinjon.

Siç ndodh gjithnjë me tifozët, ata besojnë se ky është vetëm fillimi I një epoke të re, të madhe. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!