Brazili heton falsifikimet e të dhënave për vaksina, bastiset shtëpia e ish-presidentit

schedule16:42 - 3 Maj, 2023

schedule 16:42 - 3 Maj, 2023

Policia në Brazil e ka bastisur shtëpinë e ish-presidentit Jair Bolsonaro në kryeqytetin brazilian, Brasilia.

Bastisja është pjesë e një hetimi ndaj një grupi që dyshohet se kishte bërë ndryshime në një databazë me të dhënat qeveritare për vaksinat kundër COVID-19.

Policia tha se baza e të dhënave ishte ndryshuar për të ndryshuar statusin e vaksinimit të disa individëve të paidentifikuar.

Këshilltari i afërt i Bolsonaros, Mauro Cid, u arrestua në lidhje me këtë rast. Ndërkohë, Bolsonaro ka thënë se ai nuk ka asnjë lidhje me rastin që po hetohet.

Policia federale tha se “të dhëna të rreme” ishin futur në të dhënat e vaksinimit kundër COVID-19 të Ministrisë së Shëndetësisë të Brazilit.

Sipas policisë, kjo është bërë në mënyrë që individët të cilëve u ishte ndryshuar statusi i vaksinimit të mund të merrnin certifikatat e vaksinimit të nevojshme për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në atë kohë.

Bolsonaro i kishte kundërshtuar fuqishëm vaksinat kundër COVID-19 dhe disa herë kishte shpërdarë informacion të rremë në lidhje me vaksinën dhe efektet anësore të supozuara të saj.
Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në rrjete sociale në vitin 2021, ai pretendoi gabimisht se vaksinat kundër COVID-19 e rritin mundësinë e infektimit me SIDA-n.

Në tetor 2021, ai tha se nuk do ta merrte vaksinën.

Në shkurt të këtij viti, agjencia braziliane kundër korrupsionit filloi ta shqyrtojë statusin e vaksinimit të ish-presidentit. Atij iu gjet një kartë vaksinimi në të dhënat e poseduara nga Ministria e Shëndetësisë, por thanë se të dhënat mund të kenë qenë të ndryshuara.

Të dhënat e rreme dyshohet se janë futur në sistemin e Ministrisë dikur mes nëntorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar.

Bolsonaro udhëtoi për në Florida në fund të dhjetorit, vetëm disa ditë para se rivali i tij, Luiz Inacio Lula da Silva, ta merrte detyrën si president i vendit.
Ai qëndroi në SHBA deri më 30 mars.

Që nga kthimi i tij në Brazil, Bolsonaros i është dashur të paraqitet para policisë dy herë për të dëshmuar për dy hetime të veçanta.

Njëri rast ka të bëjë me rolin e tij të supozuar në sulmin ndaj Kongresit Brazilian nga mbështetësit e tij në janar. Ai po hetohet gjithashtu nëse ka tentuar të importojë dhe të mbajë ilegalisht bizhuteri në vlerë prej miliona dollarësh që atij dhe gruas së tij i janë dhënë nga Arabia Saudite në vitin 2019./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!