Brazili do të ketë fanelë të bardhë në Kupën e Amerikës që zhvillohet këtë verë. Federata vendosi t’i kthehej kësaj uniforme për nder të një triumfi të madh të ndodhur 100 vjet më parë.
Kishte plot 69 vjet që kjo nuk ndodhte, që do të thotë një ndryshim epokal.
Brazili do të kthehet tek fanela e bardhë, që do të jetë uniforma e tij e dytë në Kupën e Amerikës, turne që do të luhet këtë verë pikërisht në tokën braziliane.
Federata e Brazilit vendosi për këtë bluzë për të nderuar 100-vjetorin e fitores së kombëtares në Kupën e Amerikës në 1919, në suksesin në finale ndaj Uruguajit, luajtur në Rio De Zhaneiro dhe vendosur nga goli i vetëm i sulmuesit të famshëm Fridenrajh (Friedenreich), në minutën e 122-të.
Ishte fillimi i historisë së madhe të futbollit brazilian, që më pas u bë dominues në rruzull, duke fituar pesë Kupa të Botës.
Gjithsesi, fanela ka edhe anën e saj tragjike, pasi u vesh për herë të fundit në Kupën e Botës 1950 luajtur po në Brazil, që përfundoi me humbjen 1-2 në finale gjithashtu ndaj Uruguajit.
Pasi finalja e “Marakanës” u quajt tragjedi kombëtare, fanela e bardhë doli nga qejfi dhe nuk u vesh më kurrë nga “Selesao”, diçka që nuk e provuan brezat e Pelesë, Sokratesit, Romarios apo Ronaldos.
Interesant fakti që trajneri Tite vendosi që lojtari që do ta reklamonte këtë bluzë do të ishte Vinisius Zhunior i Realit, ndonëse ai nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje me Brazilin! /abcnews.al