Brazil, ish-presidenti akuzohet për “grusht shteti” kundër demokracisë

schedule22:48 - 21 Nëntor, 2024

schedule 22:48 - 21 Nëntor, 2024

Ish-presidenti brazilian, Jair Bolsonaro dhe disa nga aleatë të tij, janë mes dhjetëra personave që policia federale i ka akuzuar zyrtarisht si pjesë të një komploti për të shkatërruar sistemin demokratik të Brazilit përmes një grushti shteti.

Policia federale braziliane konfirmoi të enjten se hetuesit përfunduan hetimin e tyre të gjatë për atë që ata e quajtën një përpjekje të koordinuar për “shkatërrimin e dhunshëm të shtetit kushtetues”, raporton theguardian.

Në një njoftim për shtyp, policia tha se në raportin – i cili u dërgua Gjykatës së Lartë – janë akuzuar gjithsej 37 persona për përfshirje në përpjekjen për grusht shteti, krijimin e një organizate kriminale dhe përpjekjen për të rrëzuar një nga demokracitë më të mëdha të botës. Ndër të akuzuarit janë Jair Bolsonaro, kapiteni ushtarak që u bë politikan populist, i cili ishte president nga viti 2018 deri në fund të vitit 2022, si dhe disa nga anëtarët më të rëndësishëm të administratës së djathtë ekstremiste.

Përfundimi i shumëpritur i hetimit të policisë vjen vetëm disa ditë pas arrestimit të pesë personave, të dyshuar për pjesëmarrje në një komplot për vrasjen e pasardhësit të Bolsonaros, Luiz Inacio Lula da Silva, dhe të zëvendëskryetarit të tij të qendrës së djathtë, Geraldo Alkmin, si dhe gjykatësit të Gjykatës së Lartë, Aleksandro de Moraes.

Pak para se policia të shpallte përfundimin e hetimit, Lula shprehu falënderimin që përpjekja për ta helmuar ka dështuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!