Braktisja e Kuvendit, ulje ngritjet e PD-së dy vite nga djegia e mandateve dhe 25 Prilli

schedule17:01 - 17 Shkurt, 2021

schedule 17:01 - 17 Shkurt, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Dy vite më parë, Lulzim Basha ende pa kaluar 24 orë nga një protestë e zhvilluar përpara kryeministrisë deklaroi se grupi i tij parlamentar do të ndërmerrte aktin ekstrem të djegies së mandateve. Përgjatë dy viteve, opozita organizoi në mënyrë të vazhdueshme protesta, më pas vendosi të ulej në një tryezë për të rishkruar Kodin Zgjedhor dhe tani është gati të përballet politikisht me shumicën sërish në zgjedhje, me pretendimin për të marrë një mandate qeverisës.

Nga shkurti deri në qershor të zhveshur nga mandatet por në emër të kauzës së organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, demokratët zhvilluan 10 protesta përpara kryeministrisë. Kushtet ishin dy, krijimi i një qeverie tranzitore dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme.

I radhës bojkoti i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Deri në fundin e 2019, edhe me tentativat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve, demokratët dhe shumica qeverisëse qëndronin shumë larg. Kthesa erdhi në janarin e 2020, kur pikërisht ndërkombëtarët i ulën në një tryezë të përbashkët për të shkruar rregullat e lojës në kodin zgjedhor.

Rrugëtim për të cilin, demokratët sakrifikuan shumë, duke nisur nga ulja në të njëjtën tryezë me Damian Gjiknurin që e akuzonin për vjedhjen e zgjedhjeve dhe deri tek heqja dorë nga pretendimi për krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme.

Në kohën kur maxhoranca drejton e pashqetësuar parlamentin dhe pushtetin vendor, Partia Demokratike u përfshi në procesin e brendshëm të riorganizimit dhe përzgjedhjes së emrave për deputetë. Ekspertët finalizuan programin dhe janë duke prezantuar alternativën e tyre për shqiptarët.

Kalkultimet e demokratëve kanë për qëllim që jo vetëm t’i rikthehen pas 25 prillit jetës parlamentare, por të jenë shumicë parlamentare dhe të kenë mandatin për të qeverisur vendin./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!