Pas 17 vitesh karrierë në financë dhe menaxhimin e biznesit, Vlerina Haxhiraj mori vendimin që i ndryshoi jetën: la një profesion të sigurt për t’iu përkushtuar plotësisht pasionit të saj për krijimin e bizhuterive artizanale. Sot ajo është themeluesja e markës “Teara Handmade Jewelry”, një emër që po fiton vëmendje për krijimet unike, ku çdo bizhuteri mbart një histori, një emocion dhe një identitet të veçantë.
E ftuar në studion e ABC së Mëngjesit, Vlerina rrëfen se arti ka qenë gjithmonë një ëndërr e fshehur, edhe pse për vite me radhë jeta e saj ishte e lidhur me shifra, analiza dhe menaxhim. Katër vite më parë ajo nisi të ndiqte kurse online për punimin e rruazave dhe bizhuterive, ndërsa talenti autodidakt e shtyu të eksploronte gjithnjë e më shumë botën e artizanatit.
Bizhuteritë e saj realizohen me teknikën tradicionale të tezgjahut, një mjeshtëri e trashëguar në zonat e veriut, e kombinuar me qendisjen e imët me rruaza xhami Miyuki, të njohura në botën e modës për cilësinë dhe elegancën e tyre. Për Vlerinën, një bizhuteri nuk është thjesht një aksesor, por një objekt që ruan kujtime, simbolikë dhe histori personale.
Ajo tregon se fillimet nuk kanë qenë të lehta. Fillimisht, rrjetet sociale ishin “shoku” i vetëm i biznesit të saj, ndërsa mentaliteti i konsumatorit ndaj produkteve handmade ishte ende i rezervuar. Megjithatë, me këmbëngulje dhe besim te puna e saj u kthye nga një hobi në një biznes të mirëfilltë.
Përveç bizhuterive, Vlerina ka realizuar edhe portrete të personaliteteve të njohura, një tjetër anë artistike që nuk e kishte menduar se do të pritej me kaq shumë interes nga publiku.
Si bashkëshorte, nënë dhe sipërmarrëse, ajo e përshkruan veten me humor si “paturpësisht e varur” nga punimet e dorës. Frymëzimin e gjen te natyra, udhëtimet, njerëzit që takon dhe emocionet e përditshme, të cilat më pas marrin formë në koleksione me estetikë minimaliste dhe detaje të punuara me përkushtim.
Për Vlerinën, vlera e një produkti artizanal nuk matet vetëm nga materiali, por mbi të gjitha nga koha, durimi dhe dashuria që fshihet pas procesit të krijimit. Ajo beson se arti nuk është vetëm estetikë, por një mënyrë për të shprehur identitetin dhe për t’u dhënë njerëzve mundësinë të mbajnë diçka vërtet unike.
Në një kohë kur prodhimi masiv dominon tregun, historia e saj është dëshmi se pasioni, kur shoqërohet me punë të palodhur dhe këmbëngulje, mund të shndërrohet në një biznes që krijon jo vetëm produkte, por edhe emocione.



