Braimllari: KAS vërtetoi se mandati i LSI është grabitur në tavolinë

schedule17:01 - 21 Maj, 2021

schedule 17:01 - 21 Maj, 2021

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari ka deklaruar se i gjithë procesi i trajtimit të ankesave të LSI nga ana e KAS vërtetoi se mandati i LSI në Berat është grabitur në tavolinë.

“Vendimmarrja e KAS, për të quajtur të vlefshme 24 qendra votimi të mbushura nga Rilindja të faktuara dhe të vërtetuara nga procesverbalet dhe nga informacioni zyrtar, i firmosur nga numëruesit dhe komisionerët e PS vërtetoi të gjitha pretendimet tona,” ka deklaruar Braimllari.

Në KAS përfundoi sot numërimi i 114 kutive të Beratit të ankimuara nga LSI. Nga rinumërimi rezultoi se LSI mori 15 vota më shumë dhe PS, 18 vota më pak. Diferenca u ngushtua nga 77 në 58, por sërish LSI nuk mundi që t’i merrte Partisë Socialiste mandatin e pestë në këtë qark.

Deklarata e plotë:

I gjithë procesi i trajtimit të ankesave të LSI nga ana e KAS vërtetoi se mandati i LSI është grabitur në tavolinë.

Vendimmarrja e KAS, për të quajtur të vlefshme 24 qendra votimi të mbushura nga Rilindja të faktuara dhe të vërtetuara nga procesverbalet dhe nga informacioni zyrtar, i firmosur nga numëruesit dhe komisionerët e PS vërtetoi të gjitha pretendimet tona.

Në 24 qendra votimi në qarkun e Beratit të vertetuara ka 115 shkelje të rënda të cilat vërtetojnë qartazi ndërhyrjen në proces dhe brenda në kuti.

Është i vërtetuar, fakti kriminal që 19 shtetas votojnë 54 herë ndërkohë që ka me qindra informacione të tjera për votime të së njëjtës natyrë në të gjitha qendrat e votimit në qarkun e Beratit.

Është vërtetuar që ka më shumë fletë votimi në kuti sesa votues, në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë.

Është vërtetuar që janë dorëzuar kuti me fletë votimi më shumë sesa janë marrë në dorëzim. Pra, edhe një herë kutitë janë mbushur nga Rilindja duke na kthyer pas në kohët më të errëta të zgjedhjeve në Shqipëri.

Këto fakte tronditëse, nuk janë marrë parasysh nga KAS, i cili heshti duke zbatuar një urdhër politik dhe u bërë pjesë e shkatërrimit të procesit zgjedhor dhe grabitjes së mandatit të LSI.

Ne nuk do të ndalemi, do ta vazhdojmë betejën tonë në Kolegjin Zgjedhor ku do të paraqesim fakte konkrete për pavlefshmëri të procesit. LSI është e vendosur për t’i shkuar deri në fund zbardhjes të së vërtetës dhe për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve.

g.v/abcnews.al