Nënkryetari i LSI Endrit Braimllari deklaroi në ABC Live përballë gazetares Juli Xhokaxhi, se në rast akuzash nga ana e demokratëve në drejtim të partisë së tyre, LSI do të ketë një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe më të ashpër.
“Ne kërkonim të bashkëpunonim kundër keqqeverisjes. LSI e ka treguar që ka përgjegjshmëri në vendimmarrje. Ne kërkuam kohë për të marrë vendimet. E kuptoj stresin e PD. Janë futur në cep të ringut dhe nuk dalin dot. Bardhi artikuloi një mesazh të Lulzim Bashës. Ne i kemi thënë tekstualisht që nëse përmendin LSI do kenë përgjigje të drejtpërdrejtë, edhe më të ashpër.
Unë kam dorëzuar në KQZ regjistrimin e LSI. PD-së nuk i është kërkuar asgjë më shumë se të përcaktojnë detyrimet si parti që nuk bllokon proceset në vend. Del e deklaron që ne nuk mund të shkonim sepse KQZ nuk u mblodh. Nëse do kishte vullnet pozitiv mund të regjistrohesh. Kjo tregon papërgjegjshmërinë e tyre dhe tendencën e tyre për të vendosur do institucion në kolaps”, u shpreh Braimllari.
Ai theksoi se në rast se LSI do kishte dalë kundër Bashës në vitin 2017 ai nuk konfirmohej në krye të PD. Braimllari foli edhe për rolin e Metës në drejtimin e LSI, por nuk bëri një zgjedhje mes tij dhe Kryemadhit.
“Ne kemi përcaktuar qëndrimin tonë në opozitë. Një LSI e vendosur qartazi kundër Lulzim Bashës në vitin 2017, Basha nuk do kishte shanse të konfirmohej në krye të PD. Ai rriti rolin për të mbyllur pazaret e tij me Edi Ramën. Meta është ideatori, themeluesi i LSI. Ai e hapi LSI kundrejt të rinjve. Shumë të rinj dhe të reja u ndjenë më të përfaqësuar.
Unë nuk mund të bëj dallime mes Kryemadhit dhe Metës. LSI ka luajtur rol ekuilibrues në vend. Kryemadhi e mori drejtimin e LSI në opozitë, në kushte shumë herë më të vështira. Roli i Metës në politikë është i patjetërsueshëm”, tha ai. m.v/Abcnews.al