Bozo bën një hap pas për deklaratën mbi diktaturën: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist

schedule14:02 - 20 Mars, 2021

schedule 14:02 - 20 Mars, 2021

Kandidatja e PS për deputetet në Tiranë, inxhinierja e njohur Luljeta Bozo ka bërë një hap pas në lidhje me deklaratat e saj për Enver Hoxhën dhe sistemin diktatorial. Në një intervistë në “Java News”, Bozo shpreh një tjetër mendim për kohën e diktaturës.

E pyetur se çfarë dëmesh i ka shkaktuar Enver Hoxha dhe figura e tij kombit shqiptar në emisionin “Dekalog” ajo tha se po t’i vësh në balancë, ka më shumë anë pozitive sesa negative.

Por së fundmi, Bozo shprehet se diktaturën komuniste e dënon me forcë dhe se Enver Hoxha padyshim ishte një diktator. Sipas saj, kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature.

Profesoreshë, tashmë jeni pjesë e një ekipi që garon në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Besoj e keni nisur punën në terren… Si kanë qenë për ju këto ditë?

Luljeta Bozo: Në fakt, u aktivizova shumë në javën e parë pas propozimit që më bëri Kryeministri dhe më ftuan në disa televizone ku unë shpreha arsyen pse e pranova, pse besova kaq shumë te kjo forcë politike. Besova se njeriu ka sy e veshë dhe shikon se ku e merr një forcë politike pushtetin në dorë dhe se ku e çon ajo pas 4 vjetësh apo 8 vjetësh. Dhe duke parë arritjet e këtyre 8 viteve, me ato reforma shumë të medha, reforma administrative, ajo në arsim, në energjetikë, në pensione, reforma më e madhe në drejtësi, nuk ke se si të mos besosh në këtë forcë dhe të mos punosh bashkë me të tjerët që ta çosh punën para. Fushata ime e deritanishme ka qenë kryesisht në daljet publike dhe biseda me njerëz, por pa bërë takime masive që të mos shkel rregullat e covid.

Së fundmi është komentuar një intervistë e juaja ku ndër të tjera flisni edhe për periudhën komuniste të vendit. Media, por edhe një pjesë e politikës, e kanë interpetuar deklaratën tuaj si një vlerësim pozitiv për regjimin komunist. Por cili është në fakt, qëndrimi juaj për atë periudhë të historisë sonë?

Unë kam një jetë të jetuar me parimet e me punën time dhe bindjet e mia as nuk i kam negociuar, as kam ndërmend t’i negocioj në këtë moshë me askënd! Për më tepër nuk kam ndërmend të merrem me ata që merren me shtrembërimin e fjalëve te mia, për qëllime të rëndomta politike. Diktaturën komuniste e dënoj me forcë dhe Enver Hoxha padyshim ishte një diktator. Por refuzimi i çdo relativizimi të krimeve të diktaturës, nuk më pengon dot të vlerësoj me respekt shkencëtarët dhe profesionistët e asaj kohe dhe gjithë popullin e thjeshtë që kanë punuar me ndershmëri. Pafuqia për të mos e parë atë kohë vetëm bardhezi është sindromë e sërvilëve apo spiunëve të atëhershëm, që janë “xhelatët” e mendimit ndryshe të këtyre 30 vjeteve. Kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature. Ata që shajnë, akuzojnë dhe shtrembërojnë njësoj si xhelatët e mendimit ndryshe asokohe. Ekstremet përputhen dhe më kujtohet Vaclav Haveli që thotë: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist! Kam vetëm keqardhje per ta.

Si është për ju politika e mirë dhe e virtytshme, ajo që duhet dhe mund të luftojë të keqen?

Është ajo politikë që vendos dhe përcakton rregulla që zgjidhin hallet e njerëzve, që mund të jenë në të gjitha fushat, biznes apo kërkim shkencor qoftë. Prandaj njerëzit votojnë, që të zgjidhin hallet e një bashkësie. Ndaj edhe politika e mirë priret nga hallet e një bashkësie, jo nga problemet apo interesat personale. Një sfidë e përbashkët mund të jetë arsimimi. Për shumë kohë pas viteve 90, arsimimi mbeti mbrapa si sistem, por së fundmi kemi bërë shumë. Politika e mirë, është ajo që mendon për politika të zhvillimit afatgjatë, planifikime afatgjata që përcaktojnë se cfarë mundësish ti ke si vend, cfarë mundësirash financiare ke dhe cfarë mund të fillosh ti vetë me këto forca të tuat, e më pas me mbështetjen e partnerëve që neve nuk na ka munguar qoftë nga BE, qoftë nga SHBA.

A është kjo e jona, kjo e sotmja, një politikë e mirë? Si do t’i vlerësonit përpjekjet e deritanishme, qoftë edhe të qeverisë që kërkon një mandat të tretë?

Politikë e mirë, është kur ti nuk premton gjëra që nuk i ke kalkuar mirë dhe duhet t’i shtrish këmbët sa ke jorganin, se ndryshe plevitosesh. Pra ato që thuhen, duhen kalkuluar mirë dhe kjo qeveri mendoj unë, ka ekspertë të mirë që i bëjnë këto kalkulime dhe ndaj punët kanë ecur përpara. Sa më shumë të aktivizohen specialistët, aq më shumë përparojnë gjërat.

Ato daljet daljet publike të kryeministrit janë shumë bindëse dhe njerëzit duhet ta kuptojnë që ne ishim këtu, arritëm këtu pas kaq vitesh dhe duhet të shkojmë diku tjetër. Politika e mirë mendon gjithmonë për shumë shtresa shoqërore.

Një nga sfidat përshembull që nuk duhet ta harrojmë, është se gruaja, gjysma më e mirë e shoqërisë duhet patjetër të gjejë vendin që i takon në të gjitha sferat. Sot përshembull ne i kemi arritur kuotat gjinore dhe i kemi tejkaluar, jemi nga qeveritë e botës me më shumë gra ministre dhe do të thotë që drejtuesit e kanë kuptuar se qeveria ka sukses me gratë. Mos të mërziten burrat, por gratë janë më korrekte, e shfrytëzojnë kohën më mirë, janë më rracionale në vendimet që ato marrin. Fati i gruas shqiptare duhet të na shqetësojë gjithmonë.

/mv.abcnews.al