Botuesi Bujar Hudhri: “Pengu që më rrëfeu Ismail Kadare në Gjirokastër”

schedule22:17 - 11 Maj, 2022

schedule 22:17 - 11 Maj, 2022

“Shtëpia botuese është shtëpia e dytë e shkrimtarit”. Kështu u shpreh në Refleksione në ABC botuesi i Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri, duke e konsideruar shtëpinë e tij botuese “Onufri” si shtëpinë e vërtetë të Kadaresë. “Jam me fat që jam botues i një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm botërorë dhe ky ka qenë një fat në jetën time. Ajo që më ka orientuar në marrëdhënien me Ismail Kadarenë ka qenë një gjë- dashuria për artin e tij dhe për të. Unë kam qenë i bindur se çdo përkujdesje për veprën e tij ka qenë një përkujdesje për punën time, për jetën time. Shtëpia botuese e shkrimtarit, në rastin më të mirë, është shtëpia e vërtetë e shkrimtarit. Unë jam munduar të jem pikërisht kjo dëshirë e tij”, u shpreh Hudhri.

Botuesi i “Onufrit” nuk ka ngurruar të rrëfejë se bashkëjetesa me Kadarenë nuk ka qenë e lehtë, e aq më pak, e thjeshtë. Por, teksa kthen kokën pas, ai kujton si diçka tejet të veçantë për ta ndarë me lexuesit e Kadaresë, një ngjarje ku shkrimtari duket se ka nxjerrë nga brenda vetes, si rrallëherë, një peng. Hudhri ka kujtuar në “Refleksione” se gjithçka ka ndodhur disa vite më parë, teksa ndodheshin në Gjirokastër për disa takime me lexuesit dhe ku dy gazetarë grekë dëshironin ta ndiqnin nga afër këtë bashkëbisedim. Por, një ngjarje tragjike pas shembjes së një pallati në qytetin e gurtë ka ndryshuar planet dhe në vend të bashkëbisedimit me lexuesit ka zgjedhur një darkë në Jargucat. “Atë natë, teksa ktheheshim drejt hotelit, dëgjova: Sa bukur, që një foshnjë e këtij qyteti, e bëri të njohur në botë. Të ishte gjallë nënoja sa do të lumturohej ta merrte vesh.- Pra, po fliste për nënonë, gjyshen e tij. Unë në timon, në një rrugë të vështirë, në Virua, nuk fola fare. Nuk isha i sigurtë nese kish folur apo kisha parë ëndërr. Kur u zgjova në mëngjes, ai po më thërriste nga oborri i hotelit dhe e pashë që ishte i zemëruar. Kishte dalë nga dhoma si rrallherë i parruar. Po më tregonte se ishte mërzitur nga muret brenda dhomës së hotelit që kishin marrë shumë lagështirë. Unë, pasi përfundoi së rrëfyeri zemërimin, prita fare pak çaste dhe e pyeta se çfarë ishte ajo që më kish thënë për nënon një natë më parë, dhe ai më tha: Po, ne po kalonim pranë varrezave dhe më erdhi në mendje nënoja dhe mendova se sa krenare do ndjehej për mua po ta dinte se si e kisha bërë të njohur këtë qytet”, ka kujtuar Hudhri bisedën me Kadarenë në “Refleksione”.

 Sipas Hudhrit, Kadare ka enë i bindur se arriti t’i shpëtojë rregjimit vetëm duke besuar te letërsia si te Hyjnia. “Unë e kam perifrazuar këtë shprehje të Kadaresë, që e e ka parë letërsinë si Hyji, duke e shpëtuar nga ai rregjim”, u shpreh Hudhri, sipas të cilit ky rrugëtim me botimet e Kadaresë ka enë një investim moral, njerëzor, por edhe financiar.

 Në “Refleksione” në ABC News Bujar Hudhri ka kujtuar edhe momentet e vështira në vitin 1990, ku drejtonte gazetën Shkumbini, që më vonë u kthye në gazetën “Fjala e Lirë”, që u kthye në një gazetë që tregtohej në disa qytete. Ndërkohë që në vitin e tridhjetë si botues i “Onufrit” ai nuk e fsheh gëzimin e tij që dy fëmijët, Davidi dhe Enxhi, kanë ndjekur rrugën shpirtërore të librit. “Eshtë një rrugë e vështirë, por ndjehem krenar që dy fëmijët e mi, Davidi dhe Enxhi, kanë ndjekur rrugën e librit, rrugën e botimit”, tha Hudhri në “Refleksione” në ABC News./abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!