Në një intervistë për televizionin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri i kombëtares kuqezi, Silvinjo është kthyer të flasë për “plej ofin” e “Botërorit 2026” dhe ëndrrën e madhe për të luajtur për herë të parë në finalet e një Kupe Bote.
Tekniku është shprehur se i pret një kundërshar i fortë si Polonia, por beson plotësisht se kuqezinjtë mund t’ia dalin.
Pushimet kanë përfunduar për trajnerin e kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho. Pas zgjatjes së kontratës, tekniku kuqezi ka rinisur punën për sfidat e play off të “Botërorit 2026”, e para kundër Polonisë më 26 mars.
Në një intervistë për televizionin zyrtar të FSHF, Sylvinho ka folur mbi gjithçka lidhur me përfaqësuesen shqiptare, duke nisur nga përjetimet personale për arritjen e fazës së play off të një Kupe Bote për herë të parë në histori.
“Mund të them që tashmë jemi mësuar të luajmë ndeshje të rëndësishme, deçizive, qoftë ndaj Italisë apo ndaj një skuadre pak më modeste. Këta lojtarë kanë filluar të kuptojnë dhe të luajnë ndeshje me kombëtare të rëndësishme, deçizive. Ata kanë bërë shumë mirë, në të treja ndeshjet radhazi, nuk ka qenë e lehtë, kemi fituar dhe kjo na ka sjellë në play-off. Sipas meje, ata tre muaj kanë qenë shumë të bukur”, tha Sylvinho.
Kualifikimi në play off e Botërorit ishte një arritje e madhe, por historia do të shkruhej nëse kuqezinjtë do të merrnin biletën për në finalet e turneut. Pengesa e parë drejt kësaj ëndrre është Polonia. Sylvinho e di që nuk do të jetë e lehtë, por beson te skuadra e tij,
“Është një skuadër me lojtarë të rëndësishëm, janë të mësuar dhe e njohin mirë fazën play-off, kanë marrë pjesë edhe në Botëror. Nga ana jonë, kemi një skuadër që është përmirësuar shumë, siç e thashë, është një skuadër që tashmë është mësuar të luajë ndeshje të vështira, deçizive, përveç vështirësisë, se të gjitha janë të tilla, por ndeshje deçizive. Janë 90 minuta, ku e di që duhet të gabosh sa më pak dhe që çdo gjë është e rëndësishme, pasi gabimi më minimal mund të të bëjë shumë dëm. Unë besoj shumë në skuadrën tonë, në lojtarët dhe punën tonë. Mungojnë ende 2-3 muaj, uroj të shkojmë atje me forcën tonë maksimale”, shtoi trajneri i kombëtares.
Por a mund t’ia dalë Shqipëria? Trajneri nuk ka dyshime për këtë
“Patjetër”, u shpreh i bindur Sylvinho.
Nëse arrin të kalojë Poloninë, kombëtarja kuqezi do të përballej në finalen e play off me fituesen e çiftit tjetër mes Ukrainës dhe Suedisë.


