Nuk mund të kishte finale më të vështirë, e pra triumf më të madh.
Botafogo ia doli për herë të parë në histori që të fitonte Kupën Libertadores, në një përballje për titull të gjithën braziliane ndaj Atletiko Mineiros, ndonëse ironikisht të luajtur në Argjentinë.
Përfundoi 3-1 sfida në stadiumin “Monumental” në Buenos Aires, edhe pse Botafogo luajti praktikisht gjatë gjithë kohës me 10 lojtarë.
Gregore u përjashtua me të kuq që në minutën e dytë, por gjithçka u përballua.
Përtej epërsisë në lojë të Atletikos, ekipi I mbiquajtur “Ylli I vetmuar” kaloi në avantazh në 35’ me autor goli Luis Henriken.
Dyfishimi erdhi në fund të pjesës së parë kur Aleks Tejes ekzekutoi saktë penalltinë, ndonëse vuajtja nuk kishte përfunduar.
Atletiko u rikthye falë Eduardo Vargasit menjëherë pas pushimit, dhe gjithë pjesa e dytë ishte një rrethim I portës së Botafogos.
Rivalët e mbajtën topin 80 për qind dhe patën 22 gjuajtje ndaj 8, por nuk ishin të saktë.
Pikërisht në fund, në minutën e 7-të shtesë erdhi goli I tretë nga Zhunior Santos.
Kjo ishte Kupa e parë Libertadores për Botafogon, që në histori ka dalë dy herë kampione e Brazilit dhe 21 herë kampione në ligën karioka në Rio de Zhaneiro.
Brazili dominoi këtë edicion të Kupës duke pasur 7 ekipe ndër 16 në të tetat e finaleve dhe 5 në çerekfinale nga 8 gjithsej.
Një krenari e vërtetë për një Botafogon, klubin 130-vjeçar që ka dhënë më shumë lojtarë për kombëtaren e Brazilit, përfshi edhe fazat finale të Kupave të Botës. /abcnews.al