Bota sytë nga Antalia, deklaratat e para që dhanë ministrat e jashtëm ukrainas dhe rus

schedule11:05 - 10 Mars, 2022

schedule 11:05 - 10 Mars, 2022

Sytë e botës janë sot në Antalia ku po mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës Pas takimit, dy ministrat Lavrov  dhe Kuleba janë duke mbajtur një konferencë për mediat.

Në fjalimin e tij në konferencën për shtyp, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitro Kuleba tha: “Për herë të parë, takohen Ministrat e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe Ukrainës. Ishte një takim i lehtë dhe i vështirë. Ishte i lehtë sepse Lavrov mbeti konstant në mendimet e tij tradicionale për Ukrainën. Ishte e vështirë sepse bëra më të mirën”.

Kurse, Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë u shpreh se diskutoi me homologun çështje humanitare duke përfshirë atë që po bëhet për të mbrojtur civilët. Lavrov akuzoi gjithashtu “nacionalistët” ukrainas për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.

Ministri rus tha gjithashtu se korridoret humanitare në Ukrainë janë diskutuar, duke shtuar se ato rrugë janë duke u përcaktuar nga ekipe nga secili vend. Furnizimi me ushqime dhe stabiliteti i çmimeve në Evropë ishte gjithashtu në agjendë, u tha ai gazetarëve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga BBC nëse do të ishte i mundur një armëpushim, Lavrov tha se “operacioni special ushtarak” do të vazhdojë dhe se Vladimir Putin thotë se strategjia e tij do të planifikohet.

Lavrov tha gjithashtu se duke i ofruar ndihmë Ukrainës, Perëndimi “po sillet në mënyrë të rrezikshme”.

“Ne nuk e sulmuam Ukrainën,” shpjegoi ai, duke thënë se Rusia po kërcënohej dhe duhej të mbronte rajonet e Donetsk-ut dhe Luhansk-ut, të cilat Rusia i sheh si të pavarura nga Ukraina. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!