Bota në krizë ushqimore, Zelensky: 22 milionë ton grurë në pritje ndërkohë që Rusia bllokon portet

schedule17:22 - 27 Maj, 2022

schedule 17:22 - 27 Maj, 2022

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky është shprehur të premten se Ukraina aktualisht nuk mund të eksportojë grurë pasi Rusia vijon të bllokojë rrugët kryesore të eksportit të vendit përmes Detit të Zi dhe Detit Azov.

Lideri ukrainas vlerësoi se nëse Rusia vijon me bllokadën ajo që na pret është një “katastrofë” e mundshme për sigurinë globale të ushqimit.

“22 milionë tonë drithë mbahen sot në kapanone. Ne nuk mund t’i dërgojmë në tregjet ndërkombëtare ku janë të nevojshme pikërisht në këtë periudhë kohore.”

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se vlerësimet e OKB-së se uria mund të prekë 50 milionë njerëz të tjerë këtë vit janë një vlerësim “konservator”, duke nënkuptuar se numri i të prekurve do të jetë më i madh.

“Uria nuk vjen vetëm, ajo shoqërohet gjithmonë me kaos politik që përkeqëson situatën, shkatërron jetët e njerëzve, duke krijuar kushte të pasigurta për njerëzit e zakonshëm,” tha ai. “Në korrik, kur shumë vende do të shterojnë stokun e të korrave të vitit të kaluar, do të bëhet e qartë se katastrofa po vjen vërtet.”

Presidenti ukrainas pranoi gjithashtu një ftesë për të marrë pjesë në Samitin e G20 në Indonezi në nëntor. Ai u kërkoi organizatorëve që të përfshijnë vetëm vendet mike, duke nënkuptuar se Rusia duhet të përjashtohet nga samiti në Bali. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!