Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se përdorimi i raketës së re balistike nga Rusia në Dnipro të enjten tregon një “përshkallëzim të qartë dhe të ashpër” të luftës.
“Përdorimi i një rakete balistike kundër Ukrainës sot është edhe më shumë provë se Rusia nuk ka interes për paqen”, tha Zelensky në fjalimin e tij mbrëmjen e së enjtes.
Sipas tij, ky ishte “hapi i dytë” i liderit rus në përshkallëzimin e luftës, pas më shumë se 10 mijë ushtarëve koreano-veriorë që iu bashkuan luftës.
Zelensky tha se Putin “i shpërfill thirrjet nga Kina, Brazili, vendet evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët” dhe se ai po bën gjithçka për të zgjatur konfliktin që filloi më shumë se një mijë ditë më parë.
“Bota duhet të përgjigjet,” tha ai, duke thënë se “mungesa e reagimeve të ashpra ndaj veprimeve të Rusisë dërgon një mesazh se një sjellje e tillë është e pranueshme”.
“Rusia duhet të detyrohet në paqe të vërtetë, e cila mund të arrihet vetëm me forcë. Përndryshe, do të ketë sulme, kërcënime dhe destabilizime të pafundme ruse – jo vetëm kundër Ukrainës.”/abcnews.al