Bosi i kokainës në Kolumbi, Agim Çerma i dënuar përjetë në Shqipëri, por si u lirua?

schedule13:00 - 20 Korrik, 2021

schedule 13:00 - 20 Korrik, 2021

Nga Xhensila Kodra

Agim Çerma i arrestuar në Kolumbi si kreu i një grupi të fuqishëm që merrej me trafikun e kokainës, rezulton i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje. Vendimi është marrë nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1998 për vrasjen e Gëzim Liçit dhe plagosjen e efektivëve të policisë.

Ngjarja ka ndodhur në 1997-ën në Elbasan, ndërsa në atë kohë, bashkë me Agimin u arrestua edhe i vëllai i tij, Gazmend Çerma, si dhe disa persona të tjerë. Gazmend Çerma u dënua me 11 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan. Vendimin e ankimoi në Apelin e Durrësit, por kërkesa iu refuzua.

Në ankimim ai ia kalonte përgjegjësinë të vëllait Agimit, duke argumentuar se nuk kishte dijeni se i vëllai kishte armë me vete dhe se do të kryente vrasjen. Të njëjtin veprim ka kryer edhe Agim Çerma duke ankimuar dënimin përjetë. Kjo kërkesë i është refuzuar nga Apeli i Durrësit dhe Gjykata e Lartë. Ndërsa Kushtetuesja ia kaloi Shkallës së Parë në Elbasan për rigjykim.

Kjo e fundit ia kaloi Gjykatës së Lezhës, pasi dënimin, Agim Çerma po e kryente në burgun e Shënkollit. Referuar të dhënave të gjeneruara nga sistemi i kësaj Gjykate, Agim Çerma, në vitin 2012 është liruar me kusht në rrethana ende të paqarta. ABC mëson se lirimi i tij mban firmën e gjyqtares Parashqevi Ademi. Në 2015-ën, Ademi është arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ndërsa ish Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 4 vite burg.

Pasi la qelinë, Agim Çerma eshte larguar drejt vendeve të Europës dhe më pas në vendet e Amerikës Latine ku është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. ABC mëson se përgjatë viteve të fundit, policia shqiptare me anë të letërporosive u kanë kërkuar informacion  autoriteteve të huaja për Çermën, pasi edhe në vendin tonë ai dyshohej si i përfshirë në një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!