Pavarësisht tensioneve me Pekinin, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell, e ka përjashtuar mundësinë e ndonjë shkëputjeje ekonomike nga Kina.
“Askush nuk po flet për një shkëputje të ekonomisë së Bashkimit Evropian nga ekonomia kineze”, ka thënë Borrell të shtunën në Pekin.
Sipas tij, tregtia në mes të Kinës dhe Evropës është aq e madhe, prandaj shkëputja, edhe po të donte dikush, nuk është e mundshme.
Mes tjerash, Borrell ka thënë se qëllimi është që të zvogëlohet “varësia e tepruar”.
Borrell e ka arsyetuar qasjen e BE-së me mësimet nga e kaluara, duke e përmendur se pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit është vërtetur se “asnjë gramë” i paracetamolit nuk prodhohet më në Evropë, për shkak të prodhimit të huaj.
Kina është prodhuese e madhe e shumë ilaçeve, “mirëpo duhet të shumëfishohen burimet e furnizimit”, ka thënë Borrell, duke e quajtur këtë hap si “parandalues”.
Kina është duke e bërë të njëjtën gjë, ka thënë ai.
BE-ja përbën tregun më të rëndësishëm për eksportet e Kinës.
Megjithatë, marrëdhëniet në mes të Brukselit dhe Pekinit janë përkeqësuar për shkak të hetimeve të vazhdueshme të bllokut evropian në subvencionet kineze për prodhuesit e makinave elektrike.
BE-ja synon të hetojë edhe subvencionet kineze në kompanitë e çelikut.
Në të dyja rastet, BE-ja vlerëson se Kina po u ofron kompanive të saj përparësi të padrejta në tregun e BE-së, pasi ato mund t’i shesin produktet e tyre me çmime më të ulëta sesa konkurrentët evropianë./REL