Borrell mbërrin në Shkup, të martën viziton Tiranën

schedule23:01 - 13 Mars, 2022

schedule 23:01 - 13 Mars, 2022

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka mbërritur në Shkup në kuadër të vizitës treditore në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai ka mbërritur pasditen e së dielës në aeroportin e Shkupit, ku është pritur nga zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane Bojan Mariçiç dhe shefi i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer.

“Gëzohem që nis udhëtimin tim në Ballkanin Perëndimor në Shkupin magjepsës. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur një rajon demokratik, të begatë dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor. Ne qëndrojmë të bashkuar. E ardhmja juaj është e ardhmja jonë”, ka shkruar kryediplomati në Twitter.

Borrell nesër do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi dhe zyrtarë të tjerë.

Të martën, Borrell do të udhëtojë për në Shqipëri ku do të takojë kryeministrin Edi Rama. Takimi i tyre do të ndiqet nga një konferencë për shtyp në orën 11:00.

Borell do të takojë përfaqësues të tjerë të autoriteteve shqiptare dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të shohë nga afër punimet në mozaikun në Muzeun Historik Kombëtar, të rikonstrukturuar nga BE pas dëmeve nga tërmeti i fuqishëm.

Të mërkurën, kryediplomati evropian do të qëndrojë në Sarajevë ku së pari do të bëjë një vizitë në Operacionin EUFOR Althea, kapaciteti i trupave të të cilit në terren është pothuajse dyfishuar kohët e fundit, ndërsa më pas do të takohet me autoritetet e BeH, përfaqësues të opozitës politike dhe shoqërinë civile.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!