Borrell: BE të fillojë sa më shpejt bisedimet zyrtare për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

schedule15:14 - 14 Mars, 2022

schedule 15:14 - 14 Mars, 2022

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, tha se blloku duhet të fillojë bisedimet zyrtare për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Duke folur në një konferencë për media në Shkup, Borrell tha se pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia është “një moment për ringjalljen e procesit të zgjerimit të BE-së”.

Borrell shtoi se blloku do t’i vazhdojë diskutimet me Bullgarinë, e cila ka kërcënuar se do t’i pengojë përpjekjet e Shkupit për integrimin europian.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, prej dekadash, kanë mospajtime për çështje gjuhësore dhe historike.

Mosmarrëveshjet e tyre kanë arritur kulmin në vitin 2020, kur Bullgaria – anëtare e BE-së – i ka vënë veto propozimit për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Sipas Sofjes, Maqedonia e Veriut ka dështuar të respektojë marrëveshjet që ka bërë me një traktat dypalësh të miqësisë, në vitin 2017.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtim pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtare të NATO-s. Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina mbeten jashtë aleancës. /Gazeta Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!