Videoja e kryeministrit britanik Boris Xhonson i cili vendos këmbët në tryezë gjatë bisedës me presidentin francez Emanuel Makron, ka bërë xhiron e botës, ndërkohë që një pjesë e madhe e komentuesve francezë shprehen të zemëruar nga ky gjest.
Takimi në Elize mes kryeministrit britanik Boris Xhonson dhe presidentit francez Emanuel Makron, më shumë se sa për përmbajtjen e bisedës bëri bujë për shkak të gjestit të Xhonson.
Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar pamjet ku kryeministri britanik në bisedë e sipër vendos këmbët në tryezë. Një pjesë e madhe e komentuesve në rrjete sociale e quajtën Johnson të pasjellshëm dhe veprimin e tij “një turp për të gjithë vendin”.
Megjithatë, një video e shfaqur pak më vonë tregoi se dy udhëheqësit ishin duke bërë shaka me njëri-tjetrin në atë çast.
Kryeministri britanik Boris Johnson vijon përpjekjet për të siguruar mbështetje për një marrëveshje të re për Brexit-in. Ai i tha presidentit Emmanuel Macron se deri më 31 tetor ka kohë të mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje.
Por si në Berlin, ashtu dhe në Paris, Johnson nuk mundi të sigurojë dot mbështetje. Çështja kryesore është ajo e kufirit midis provincës së Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. /ABC News Albania 24/7