Borell pas takimit me Kurtin: Presim përparim në dialogun me Serbinë

schedule14:16 - 20 Shkurt, 2022

schedule 14:16 - 20 Shkurt, 2022

Gjatë qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takuan dje Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell.

Një ditë pas takimit, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, përmes një postimi në rrjetin social Twitter deklaroi se gjatë takimit me kryeministrin Kurti dhe ministren Gërvalla diskutuan për hapat e ardhshëm në dialogun Prishtinë-Beograd. Borell tha se mezi pret përparim në dialogun mes dy shteteve.

“Ne gjithashtu diskutuam për hapat e ardhshëm në dialogun Beograd-Prishtinë. Mezi presim përparim konkret së shpejti”, shkroi ai.

Më tej Borell tha se gjatë takimit me Kurtin e Gërvallën diskutuan edhe për sfidat gjeopolitike dhe implikimet rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë dje se kryeministri Kurti është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës është palë konstruktive që angazhohet për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke.

“Në shërbim të kësaj, ai tha se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njejtë nga pala serbe. Ai po ashtu tha se e mirëpret koordinimin e ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces të rëndësishëm”, thuhej në njoftim nga Qeveria e Kosovës. /Express