Bordi i Monitorimit, ministrja e Ekonomisë: Kompanitë s’do kenë marzh fitimi, s’do të lejojmë rritjen e çmimeve

schedule21:07 - 18 Mars, 2022

schedule 21:07 - 18 Mars, 2022

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj si dhe ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca kanë dalë mbrëmjen e sotme në një komunikim për shtyp në lidhje me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të imputeve bujqësore. Teksa pasqyruan konkluzionet pas diskutimeve maratonë me përfaqësuesit e shitësve të shumicës dhe pakicës për disa nga ushqimet bazë, Ibrahimaj tha se bordi i ngritur do të ketë si detyrë kryesore monitorimin e kostove të prodhimit për të gjithë tregtarët kryesor të shumicës dhe gjithë prodhuesit dhe monitorimin e marzheve të fitimit. Ajo tha se të gjitha kompanitë që ishin prezente sot, por dhe në takimet e kaluara, kanë garantuar dhe kanë dhënë dakordësinë për të pasur marzhe fitimi minimale, mbi produktet bazë të shportës. Madje disa prej tyre kanë deklaruar që nuk do të kenë marzhe fitimi.

“Sot është mbledhur bordi i monitorimit dhe transparencës së çmimit të produkteve të shportës. Nesër do vijojmë takimet me qëllim mbylljen e një procesi për instrumentin që do bëjë transparencë për çmimet e produkteve të shportës në pikat e tregtimit me pakicë. Kjo është situatë e pazakontë, në të cilën ne nuk do të donim të ndërhynim dhe që ka nevojë për monitorim. Jo që ka pasur abuzim, por lufta krijon pasiguri dhe ka bërë që të ketë rritje të larta të çmimeve për disa produkte të shportës. Këto çmime jo në të gjitha rastet tregojnë për rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Qëllimi i bordit është përcaktimi i instrumentit që do kontrollojë çmimet dhe nuk do lejojë që të rriten në mënyrë jo konsistente me ato të importit.

Tregu nuk monitorohet lehtë, disa prej tregtarëve janë importues direkt, disa janë përpunues e disa paketues e shitës. Bordi do të ketë si detyrë monitorimin e kostove të prodhimit për të gjithë tregtarët kryesorë dhe monitorimin e marzheve të fitimit. Kompanitë prezentë në mbledhjen sot kanë dhënë dakordësi për të pasur marzh fitimi minimal mbi produktet bazë, më të rëndësishme. Ne nuk mund të kontrollojmë çmimin, vjen nga inflacioni i importuar. Në vijim do informojmë mbi të gjithë aktivitetin e bordit dhe instrumentin e monitorimit. Do ketë një mekanizëm që do përcaktojë si do kontrollohen tregtarët me pakicë që mos lejojmë abuzim. Kemi vendosur një garanci që do përdoret nga tregtarët kryesorë që të garantojnë blerjet e tyre që produktet të mos mungojnë në një periudhë afatmesme”, tha ministrja.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!