Borchardt para mbledhjes së Këshillit Politik: Po i ndjekim me interes, mbështesim dialogun

schedule11:29 - 28 Maj, 2020

schedule 11:29 - 28 Maj, 2020

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt ka bërë një deklaratë publike në prag të mbledhjes së sotme të Këshillit Politik.

Borchardt ka përgëzuar palët politike për rifillimin e dialogut për Reformën Zgjedhore dhe për marrëveshjet e arritura deri tani.

Ambasadori thekson se po ndjekim me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis për çështjet të cilat OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si problematike.

Borchardt shton më tej se i nxit të gjitha partitë në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore.

Deklarata e plotë:

Përgëzoj partitë politike shqiptare për rifillimin e dialogut për reformën zgjedhore dhe për marrëveshjet e arritura deri tani në Këshillin Politik, ku është vendosur dialog mes qeverisë, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare.

Ne po ndjekim me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis për çështjet të cilat OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si problematike për shumë vjet tashmë: depolitizimi i administratës zgjedhore, balanca gjinore në listat zgjedhore, ngritja e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrolli dhe transparenca e financimit të fushatës, transparenca e medias gjatë zgjedhjeve dhe dhënia fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme. Njëkohësisht, reforma zgjedhore nuk duhet të dobësojë tërësinë e reformave të tjera të rëndësishme.

Unë i nxit të gjitha partitë në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore, në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike.

Po ashtu, ne do të vijojmë të mbështesim dialogun për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

/abcnews.al