Bora Muzhaqi i përgjigjet Metës: Shqipëria s’ka lënë gjë pa i dhënë Ilirit nga floriri te karriget

schedule10:15 - 25 Gusht, 2022

schedule 10:15 - 25 Gusht, 2022

Ministrja për Fëmijët, Bora Muzhaqi i është përgjigjur kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pas akuzave të këtij të fundit në kampingun veror të Jalës.

Në një shënim të gjatë në llogarinë e saj në Facebook, ministrja bën një paralelizëm. Sipas Muzhaqit njëra kokë e shqiponjës lartëson emrin e kombit dhe tjera shfryn vrerë, siç thotë ajo.

Duke u ndalur te kampionia shqiptare e Europës, ministrja shprehet se “Luizës, Shqipëria i ka dhënë shumë pak, e ajo për Shqipërinë ka dhënë, e jep pafund”.

“Ilirit, Shqipëria s’ka lënë gjë pa i dhënë nga floriri i zhdukur e i harruar, e deri te karriget më të rëndësishme të shtetit, po ende nuk është ngopur, e kërkon t’i zhvasë edhe rininë”, shkruan Muzhaqi.

Reagimi i plotë:

Shqiponja me dy krerë

Një nga kokat ngre Shqipërinë lart në Evropë, në Botë, e lartëson emrin e kombit tonë, pavarësisht gjithë atyre që ndër vite kanë lexuar baltën e hedhur mbi ne. Tjetra kokë, shfryn vrer çdo ditë, mbi këdo që do apo nuk do të dëgjojë.

Kemi sportiste kampione si Luiza që shërbejnë si frymëzim për rininë dhe janë shembull i gjallë që tregojnë se Shqipëria mund të jetë vendi i ëndrrave të realizuara me punë e sakrificë.

Por, kemi edhe mbetje të pafytyra të një politike të dalë boje që i kanë lëshuar ato pak pëllumba që iu kishin mbetur, e pretendojnë se flasin me rininë.

Luizës, Shqipëria i ka dhënë shumë pak, e ajo për Shqipërinë ka dhënë, e jep pafund. Ilirit, Shqipëria s’ka lënë gjë pa i dhënë nga floriri i zhdukur e i harruar, e deri te karriget më të rëndësishme të shtetit, po ende nuk është ngopur, e kërkon t’i zhvasë edhe rininë.

Rinia shqiptare është shumë përtej asaj fryme të shëmtuar që përpiqen të na e servirin si të mirëqenë në ato palo mitingje ku pjesa më e madhe e pjesëmarrësve i kanë kaluar të 30-tat bashkë me Ilirin, por mbase i paragjykoj më kot, në fund të fundit njeriu është aq i ri sa ndihet.

E turpshme t’i drejtohesh të rinjve në shpirt e në moshë me këtë gjuhë, e turpshme t’u përcjellësh atyre mbetjet e një mendësie komunisto-sovjetike. Por fatmirësisht, Shqipëria dhe të rinjtë shqiptarë janë evropianë, në shpirt e mendësi, e shohin përtej politikanëve që e kanë humbur edhe atë pak vlerë që kishin kur fjalitë e tyre bënin sens.

U ndjeva e detyruar për këtë status, se më tmerrojnë dëshirat për t’i brumosur të rinjtë me vrer, e për t’u dhënë fëmijëve dhe të rinjve tanë një shembull dëshpërues dhe vajtues të një karikature politike të lënë jashtë rafti.

Edukata mësohet po dhe çmësohet! Kur mësuesit janë personalitete publike, viktimat janë të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që fatkeqësisht bien në kontakt me ta! Keqardhje për të rinjtë e sfondit të këtij çmësuesi kaq të dalluar për çmësimin e edukatës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!