Bonusi i Ramës 400 mijë lekë për bebet? PD: Do ta hedhim poshtë, skema jonë për 5 vite më e mirë

schedule19:36 - 8 Shkurt, 2021

schedule 19:36 - 8 Shkurt, 2021

Partia Demokratike nëse do të vijë në pushtet pas 25 prillit do të anulojë bonusin e bebes, të miratuar nga qeveria Rama dhe që hyri në fuqi në vitin 2019. Bonusi i miratuar nga qeveria Rama dhe që sot është në fuqi përcakton që për prindërit që sjellin në jetë fëmijën e parë, shpërblimi është 400 mijë lekë të vjetra, për fëmijën e dytë 800 mijë lekë, dhe për fëmijën e tretë 1 200 000 lekë.

Një nga hartuesit e programit social të PD-së, Kastriot Sulka i ftuar në Radarin Informativ përballë gazetares Jonida Shehu në ABC tha se nëse Lulzim Basha do të vijë në pushtet “çeku Rama për bebet” do të shfuqizohet, pasi nuk ka funksionuar dhe në vend të tij do të aplikohet skema e hartuar nga ekspertët e selisë blu, që parashikon që çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujore prej 3 mije lekësh të reja, për 5 vitet e para të jetës, në total 180 000 lekë.

I pyetur drejtpërdrejt nëse skemën aktuale, PD-ja do ta hedhë poshtë, Kastriot Sulka tha prerë “Po, pa diskutim nuk funksionon”. Por përse nuk funksionon? “Kontrollojeni sa veta e marrin 40 mijë lekëshin e bonusit të bebes. Është në ligj por nuk zbatohet. Pra nuk ka qenë i qenësishëm, nuk e kanë pasur seriozisht. Këto metoda ‘ad hoc’ nuk funksionojnë.

Një shumë parash por edhe një milion nuk shërben për qëllimin për të cilin t’i mundohesh të korrigjosh problemin e demografisë, nuk funksionon. Një familje për të marrë një vendim për t’u shtuar, nuk mund ta marrë mbi një 400 mijë lekëshin, por skemë të qëndrueshme. Skema jonë do të jetë edhe për fëmijën e dytë dhe të tretë” tha më tej ai./ db/ Abcnews.al