Sassuolo u mposht nga Juventusi me rezultatin 3-1, por ka pasur rezerva për gjykimin. Rasti më i diskutuar ishte ndërhyrja e Leonardo Bonucci kundër Francesco Caputo, i cili po shkonte drejt portës së bardhezinjve i vetëm.
Mbajtja që bëri mbrojtësi i Juventusit u ndëshkua me karton të verdhë. CEO i Sassuolo, Giovanni Carnevali, është shprehur kështu: “Ne mund të ishim zemëruare, pasi Bonucci nuk u nxor nga loja. Ai bëri atë faull dhe kartoni i kuq do të kishte qenë i drejtë”.
Në emisionin “Tiki Taka” ai është pyetur edhe për Inter-Juventus: “Mendoj se Interi do të fitojë, ata kanë skuadrën më të kompletuar për momentin. Unë jam mik i ngushtë me Beppe Marotta. Ai më mësoi shumë gjëra. E kam nisur me të te Monza dhe më pas punova te Ravenna dhe Como. Ai më ndihmoi shumë në fillim”.
“Unë pasuesi i Marotta tek Interi? Ky nuk është momenti dhe kjo është e sigurt. Jam shumë i lumtur te Sassuolo, një klub i mrekullueshëm dhe nuk kam ndërmend të largohem”, u shpreh Giovanni Carnevali mes të tjerash. /abcnews.al