Bonucci kërkon falje: Jam më i zemëruar se të gjithë, veçanërisht me veten

schedule10:40 - 7 Tetor, 2021

schedule 10:40 - 7 Tetor, 2021

I detyruar ta humbasë ndeshjen për vendin e 3-të të Ligës së Kombeve, për shkak të dëbimit nga fusha me karton të kuq kundër Spanjës, Leonardo Bonucci është larguar më herët se të tjerët nga grumbullimi axurr.

Me një postim në profilet e tij në rrjetet sociale, qendërmbrojtësi bardhezi,  kërkoi falje për faktin se e la Italinë me 10 në fushë që nga fundi i pjesës së parë.

“Unë jam më i zemëruar se ju, para së gjithash me veten. Më vjen keq për atë që ndodhi dhe ju kërkoj falje. Megjithatë, kjo Itali do të ngrihet dhe do të jetë më e fortë se kurrë!”

Para tij ishte trajneri Roberto Mancini, ai që “ia tërhoqi veshin” publikisht: “Kështu janë ndeshjet. Ndonjëherë, disa episode ndikojnë në to. Pjesa e parë mund të kishte përfunduar lehtësisht 1-1. Spanjollët luajnë shumë mirë teknikisht, por ky është një zhgënjim. Ne duhet të kishim qëndruar me 11 lojtarë në fushë, bëmë një gabim që në këto nivele nuk duhet të kishte ndodhur.

Dëbimi me karton të kuq i Bonuccit? Unë nuk e kam parë atë rast në televizor, por kjo nuk ndryshon asgjë. Leo duhej të ishte i kujdesshëm para se të ndëshkohej për protesta. Ishte një paraqitje e mirë për djemtë, për atë që dhanë në fushë, por nuk mjaftoi”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!