Giorgio Chiellini vazhdon rikuperimin nga dëmtimi dhe gjatë kësaj kohe shiritin e kapitenit te Juventusi e ka mbajtur Leonardo Bonucci. 32-vjeçari ka publikuar librin e tij “Miku im Leo” dhe gjatë eventit është ndalur te disa tema. Qendërmbrojtësi komenton ecurinë në Champions, kundërshtarin që dëshiron të evitojë, rritjen e Interit dhe e mbyll me një koment për Cristiano Ronaldon.
“Udhëtimi ynë në Champions mund të jetë dukur i thjeshtë, por nuk është kurrë i tillë. Arritëm objektivin e kualifikimit dhe po mendojmë për kampionatin. Në raundin tjetër dua të evitoj Tottenhamin. Ndryshimi në pankinë i ka bërë të rrezikshëm dhe Mourinho arrin gjithmonë të japë diçka më shumë.
Inter? E dija se zikaltrit do të riktheheshin në krye në Itali dhe Europë, por mendjen e kam te skuadra ime. Duam të japim maksimumin dhe t’i shkojmë deri në fund të gjithë kompeticioneve ku marrim pjesë, me qëllim ngritjen e trofeve.
Kemi biseduar të gjithë me Ronaldon. Kur një lojtar nuk është në formën më të mirë, është gjithmonë një lojtar tjetër gati për ta zëvendësuar. Kjo është ajo që ka rëndësi në një grup. Gjithsesi, rëndësi ka që të arrijmë formën maksimale në muajin mars dhe në vazhdim“, përfundon kapiteni i Juventusit. /abcnews.al