Bonucci i sinqertë: Milani më bëri njeri më të mirë, por i përkas Juventusit

schedule12:13 - 7 Qershor, 2020

schedule 12:13 - 7 Qershor, 2020

Leonardo Bonucci, verën e vitit 2017 vendosi të largohej nga Juventusi. Përplasjet me trajnerin Max Allegri e bënë të pamundur që ai të qëndronte te bardhezinjtë dhe menjëherë Milani e joshi, madje duke i dhënë edhe shiritin e kapitenit.

Tre vite më pas, mbrojtësi qendror pranon se kishte vendosur në një moment dobësie për të. Gjithsesi ai nuk e hedh poshtë eksperiencën që kaloi te kuqezinjtë, madje thekson se ai sezon i shërbeu të rritet si njeri. Tani është te Juventusi dhe po fiton sërish.

“Ishte një vit i vështirë për mua, në aspektin profesional dhe personal. Kishte disa mosmarrëveshje, sidomos pas humbjes në Champions League. Përfundimisht mora një vendim në moment dobësie. Gjithsesi duhet ta them se ai vendim më përmirësoi si njeri.

Ato muaj te Milani më bënë të kuptoj lidhjen time shpirtërore me Juventusin dhe kishte gjithmonë një thirrje nga brenda që të rikthehesha. Juventusi është si familja ime. Në Milani takova njerëz të mirë, mbi të gjithë trajnerin Rino Gattusso.

Ishte një vit i vështirë, por jo një eksperiencë e shkuar kot”, shprehet Bonucci, i cili është në listën e 11 lojtarëve, që kanë veshur fanellat e Juventus, Milan dhe Inter. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!