Ishte sërish java e tyre. Gjenerata e dytë shqiptare në Itali tashmë është në moshë të rritur dhe në kampionatet e të rinjve janë disa yje me origjinë nga bregu lindor I Adriatikut që po shkëlqejnë.
Tepër interesant ishte dueli në kampionatin Shpresa, apo siç e quajnë në Apenine, “Primavera” mes Arman Durmishit të Juventusit U20 dhe Flavio Sulejmanit të Lacios U20.
Të dy, pjesëtarë të kombëtareve kuqezi të moshave, shënuan nga një gol në barazimin 2-2 në kryeqytet.
Sulmuesi 17-vjeçar juventin dha asistin e rrjetës së parë dhe realizoi të dytën për epërsinë 2-0 të miqve.
Ai është tepër efikas me një gol në 100 minuta, 9 rrjeta gjithsej e një assist në 18 ndeshje në fushë nga 27 gjithsej në kampionat.
Sulejmani 19-vjeçar ka 11 gola e 4 asistë për Lacion U20.
Gjithsesi, më I dalluari I javës ndër yjet kuqezinj në kampionatin e Shpresave në Itali ishte Gabriel Kulla.
Sulmuesi me origjinë nga Shkodra realizoi tri herë në fitoren që Sasuolo arriti ndaj Veronës me shifrat 7-0.
Kulla ka 13 rrjeta e 8 asistë, me një kontribut për gol në 100 minuta, pra gati një për ndeshje.
Sulmuesi 18-vjeçar ka 5 gola e një asist në dy ndeshjet e fundit, dhe është vetëm 3 rrjeta larg vendit të parë në renditjen e shënuesve.
Nuk duhet të harrojmë se në kampionatin Primavera në Itali shkëlqen edhe 20-vjeçari Frederik Tosku dhe 10 rrjeta e 3 asistë në 19 ndeshje, që luan për Çezenën dhe është pretendent për vendin e parë.


