Boll me paralajmërime: Evropa duhet të veprojë lidhur me vrasjet nga shërbimet sekrete ruse në territorin e saj

schedule11:59 - 6 Maj, 2021

schedule 11:59 - 6 Maj, 2021

Nga Nicolas Tenzer, Politico.eu

Edhe për spiunët, vrasja nuk është një punë e zakonshme. Kështu, muajin e kaluar zyrtarët çekë dëbuan 18 diplomatë rusë, pasi zbuluan se agjentët e saj sekret kishin lidhje me një shpërthim të vitit 2014 në një depo armësh në Vrěbtice, që shkaktoi vdekjen e 2 shtetasve çekë.

Ndërsa marrëdhëniet midis Pragës dhe Moskës ranë në pikën më të ulët në shumë vite, zyrtarët bullgarë zbuluan gjatë hetimit 4 shpërthime të ngjashme të depove të municioneve gjatë dekadës së fundit, duke e kthyer edhe ata vëmendjen nga Moska.

Hetuesit, si ata në Republikën Çeke po ashtu edhe në Bullgari, janë përqendruar mbi një grup të inteligjencës ushtarake ruse, që duket se operon brenda kufijve të BE-së, por jashtë normave të pashkruara të spiunazhit, duke përfshirë kryerjen e një serie vrasjesh të profilit të lartë. Megjithatë, Bashkimit Evropian ka qenë i pavendosur dhe madje i dobët në përgjigjen ndaj këtyre krimeve. Prandaj, sot është e nevojshme një përgjigje më e fortë evropiane, jo vetëm për të garantuar sigurinë e Evropës, por për të mbrojtur vlerat demokratike mbi të cilat u themelua Evropa.

Shqetësimi mbi lidhjet e inteligjencës ushtarake ruse me disa vrasje të profilit të lartë, shtrihen gjatë në kohë, që nga vrasja e kritikut të Putin, Alexander Litvinenko, i helmuar me polonium radioaktiv në Londër në vitin 2006. Ndërkohë, zyrtarët çekë po hetojnë mbi një lidhje mes atentatit ndaj Sergei Skripal dhe vajzës së tij në vitin 2018, qëi kushtoi jetën një shtetasi britanik.

Disa disidentët çeçenë kanë vdekur në rrethana misterioze në Vjenë në vitin 2009, Berlin në vitin 2019 dhe Lilë të Francës vitin e kaluar (ashtu si dhe Ukrainë dhe Turqi).Sllovakia, Rumania dhe shtetet baltike, e mbështetën menjëherë Pragën duke i dëbuar diplomatët rusë nga kryeqytetet e tyre, megjithëse në një numër më të kufizuar.

Ndërkohë, vende të tjera të BE dhe NATO, janë mjaftuar vetëm me deklarata të ashpra ndaj Kremlinit. Por as BE dhe as Shtetet e Bashkuara, nuk u shfaqën të gatshme të shkonin akoma më tej. 152 diplomatë rusë janë kthyer në shtëpi që nga viti 2017, dhe kjo për shkak të veprimtarisë ruse në Evropë.

Mungesa e tyre e zbeh me siguri ndikimin e Rusisë në kryeqytetet evropiane. Por dëbimi i diplomatëve është kryesisht një akt që përçon mesazhe por jo një veprim në vetvete. Dhe ai nuk do t’i japë fund përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Evropën.

Përçarja brenda Evropës për projekte siç është gazsjellësi “Nord Stream 2” i ka komplikuar më tej shanset për pasjen e një reagimi të fortë dhe të bashkuar ndaj veprimtarisë së inteligjencës ruse. Përveç sanksioneve ekonomike pas aneksimit të Krimesë dhe pushtimit të Donbasit, dhe ato për helmimin dhe burgosjen e Alexei Navalny, masat e tjera kanë mbetur të kufizuara në fushëveprimin e tyre, edhe nëse karakterizohen nga një ton më i ashpër.

Duket sikur disa njerëz në Evropë duan ende që të mbrojnë Kremlinin, edhe pse nuk kanë asnjë shpresë për të ndryshuar sjelljen e regjimit rus. Një listë e propozuar për sanksione me 35 emra oligarkësh dhe njerëzish që janë pjesë e rrethit të ngushtë të Putinit, nga Vladimir Ashurkov, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Anti-Korrupsion të disidentit Alexei Navalny, u prit me indiferencë nga BE dhe Shtetet e Bashkuara.

Ngrirja e pasurive dhe vendosja e ndalimit të udhëtimit për 35 miqtë e Putinit, pa folur për bllokimin e qasjes së tyre në sistemin Swift, protokolli bankar që u duhet për të transferuar paratë në Evropë – do të kishte pasur një ndikim të menjëhershëm në Moskë.

Një përgjigje e dobët ndaj ndërhyrjeve në territorin evropian, vetëm sa e inkurajon regjimin brenda Rusisë. E pse duhet Putini të tregojë vetëpërmbajtje në shtëpi, kur veprimet anti-demokratike brenda Evropës – madje edhe sulmet me bombë dhe vrasjet – prodhojnë pak  sanksione serioze?

Një regjim kriminal do të vazhdojë të kryejë krime nëse askush nuk i reziston atij, apo nga padituria dhe frika flasin vetëm për të ruajtur dialogun, që ne nuk besojmë se do të funksionojë. Ndërkohë, rrethi i ngushtë i Kremlinit vazhdon të ndërmarrë operacionet e frikësimit të opozitës pa u ndëshkuar në Evropë.

Në prill, kompania shtetërore ruse e naftës “Rosnef” dhe 3 oligarkë, përfshirë Roman Abramovich, pronarin e klubit të futbollit Chelsea në Londër, paditi për shpifje dhe shkelje

të mbrojtjes së të dhënave personale gazetaren Catherine Belton dhe botuesin e Belton, Harper Collins pas demaskimit në librin “Njerëzit e Putinit” të establishmentit rus të pushtetit.

Zbulimet e hetuesve çekë dhe bullgarë mbi veprimet e Kremlinit në këto vende,ndodhin  në një kohë kur shumica e vendeve, e kanë kuptuar që regjimi i Putinit përbën kërcënimin më të madh për Evropën. Pavarësisht retorikës sa dakordësuar për t’i bërë thirrje Rusisë të ndryshojë sjelljen e saj, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, shumica e udhëheqësve evropianë e shohin se sfida e paraqitur nga Rusia është e destinuar të vazhdojë.

Përpjekjet iluzore për t’u ri-angazhuar me regjimin e Putinit janë të kota. Duke ndëshkuar Rusinë për sulme me bombë dhe vrasjet e kryera brenda Evropës, qeveritë çeke dhe bullgare po bëjnë gjënë e duhur. Pjesa tjetër e Evropës duhet të ndjekë shembullin e tyre.

Paralajmërimi u dha shumë kohë më parë, me krimet e regjimit rus në Çeçeni, Gjeorgji, Ukrainë dhe Siri.

Edhe nëse ato të kryera në tokën evropiane kanë një intensitet më të vogël, ato mbeten gjithsesi një zgjatim i tyre. Ato janë pasojë e mosveprimit dhe humbjes së vetëdijes sonë për atë që ato nënkuptojnë. Krimet, përfshirë krimet e luftës që i nënshtrohen Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duhet të përcaktohen si të tilla. Ato nuk mund të konsiderohen një biznes i zakonshëm. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al