Boks/ Joshua fiton si kampion, “luftëtari” anglez nuk i lë “shteg” rivalit Ngannou

schedule15:56 - 9 Mars, 2024

schedule 15:56 - 9 Mars, 2024

Shtatë vjet më parë u prit si “Mesia”. Anthony Joshua ishte “profeti” i ri i peshave të rënda në boksin profesionist, kur në 29 prill 2017 rrëzoi gjigandin nga Ukraina, Wladimir Klitchko, me fitoren e anglezit 27-vjeçar, që i dha fund epokës së vëllezërve Klitchko, që kishin dominuar ringun për gati 15 vjet me radhë.

Gjithsesi, edhe pse u bë kampion i botës me tre breza të artë, WBA, IBF dhe IBO, nga 2016 deri në 2021, Joshua nuk mundi të bëhej një “legjendë” e boksit. Disfata e tij e dyfishtë ndaj ukrainasit tjetër, Oleksandr Usyk, thuajse shkatërroi një karrierë që duhej të kishte qenë verbuese.

Anglezi mendoi edhe tërheqjen, teksa mediat, analistët dhe tifozët u tallën keq me të, ashtu si edhe anglezi tjetër, Tyrson Fury. A do të mundej boksieri me trupin më të bukur në botë të ngjitej sërish në majë? Dyshimet kanë qenë tepër të mëdha, por ndoshta fitorja e fundit në Arabinë Saudite do të jetë momenti i kthesës.

Joshua u ndesh me ish-kampionin e madh të arteve të përziera marciale, Francis Ngannou, dhe triumfoi që në raundin e dytë. Tre “knock out” radhazi i dhanë fitoren në një ndeshje ku u ndërthurën dy sporte të ndryshme.

Edhe pse Ngannou është 37 vjeç dhe boksi nuk është specialiteti i tij, sërish mediat britanike dhe ato botërore e ngritën lart anglezin. Joshua 35-vjeçar tashmë mund të kërkojë sfidën me Tyson Fury dhe sërish me Oleksandr Usyk për të fituar edhe një herë brezat e artë të kampionit të botës në peshat e rënda. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!