Boks, Genadi Golovkin kthehet në ring me fitore

schedule18:43 - 9 Qershor, 2019

schedule 18:43 - 9 Qershor, 2019

Legjenda e boksit, Genadi Golovkin, mundi kanadezin Rolls dhe kërkoi ndeshjen e revanshit ndaj meksikanit Alvarez. Golovkin fitoi me nokaut në vetëm katër raunde.

Kërshëria ishte e madhe në Medison Skuer Garden. Një javë më parë, një tronditje e vërtetë ndodhi në atë që mbiquhet “Meka” e boksit profesionist botëror, por normaliteti u rikthye.

Shtatë ditë pas humbjes së kampionit të botës, Entoni Xhoshua, një ish-kampion fitoi ndeshjen e tij dhe menjëherë kërkoi të luftonte për brezat e artë.

Genadi Golovkin mundi në katër raunde kanadezin Stiv Rolls, në duelin e peshave të mesme, duke lënë pas humbjen me polemika shtatorin e kaluar me meksikanin Kanelo Alvarez.

Legjenda nga Kazakistani, i njohur më shumë me inicialet e tij të emrit, GGG apo Tre G, e nisi ngadalë duelin, sikur të kishte zënë ndryshk pas 9 muajsh jashtë ringut, dhe kundërshtari e testoi disa herë.

Gjithsesi, klasi nuk mund të mohohej, dhe veteran 37-vjeçar shkëlqeu në momentin e duhur.

Kur kishin mbetur 51 sekonda nga përfundimi I raundit të katërt, ai lëshoi të majtën e tij të njohur duke I dhënë fund luftës.

Rolls, edhe ai veteran 35-vjeçar, u përpoq të ngrihej përsëri, por ishte e pamundur.

Golovkin, arriti fitoren e 39-të në 41 ndeshje, të 37-ën me nokaut.

Me t’u shpallur fitues, njeriu që nuk është rrëzuar kurrë në ring në karrierë, kërkoi ndeshjen që të gjithë e presin.

“Ju e dini se me cilin kërkojnë tifozët që të ndeshem, – tha ai, – ishte një natë e madhe boksi. Jam gati të kthehem në shtator për një tjetër dramë të madhe. Më pëlqejnë fitoret me nokaut. E dashuroj Nju Jorkun”.

Mbi 12 000 tifozët në Medison Skuer Gardën presin tani duelin e tretë Golovkin-Alvarez, për titullin botëror në peshat e mesme. /ABC News Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!