Boks/ Argjend shqiptar në Evropian, sportisti “kuqezi” arrin deri në finalet e turneut U14

schedule12:56 - 26 Gusht, 2023

schedule 12:56 - 26 Gusht, 2023

Nuk arriti dot maksimumin, por kjo nuk ia ul aspak vlerat. Boksieri shqiptar, Kristian Jubani, fitoi medaljen e argjendit në Kampionatin Europian të moshës deri 14 vjeç.

Adoleshenti i hershëm “kuqezi” arriti deri në finalen e turneut që u mbajt në Maribor të Sllovenisë, ku në fund u detyrua të pranonte humbjen përballë ukrainasit Sidorenko.

“Luftëtari” fare i ri, ishte pjesë e ekipit kombëtar të moshave, së bashku me 3 sportistë të tjerë, nën drejtimin e trajnerëve Renato Kurti dhe Antonet Rrapushi. Ai arriti rezultatin më të mirë, në një tjetër kulm të boksit shqiptar pas atyre të mbërritur nga vëllezërit Koçi, në moshën deri 16 vjeç.

Jubani është lindur në Irlandë dhe jeton atje, ndërsa ka vendosur të jetë pjesë e kombëtares, pra të përfaqësojë Shqipërinë.

Ai korri tri fitore radhazi, përpara daljes në finale, duke kaluar me sukses radhazi malazezin Raiçeviç, sllovakun Martinik dhe në gjysmëfinale gjermanin Aron Rak, që bokson për një klub të Berlinit. Dy sukseset e para ishin me vendim unanim të gjyqtarëve, ndërsa përballja me gjermanin ishte me vendim të ndarë, por gjithsesi në favor të shqiptarit. /abcnews.al