Bojkoti i panegociueshëm dhe heshtje, Liga e Futbollit del me deklaratë

schedule15:34 - 21 Shtator, 2020

schedule 15:34 - 21 Shtator, 2020

Liga Profesioniste e Futbollit u mblodh përsëri ditën e sotme. Në takimin e zhvilluar në ambientet e “Air Albania” ishte i pranishëm edhe Fidel Ylli, deputeti socialist dhe negociatori i qeverisë për të gjetur zgjidhjen e problemeve të futbollit shqiptar. Dhjetë klubet e Superiores duan plotësimin e 4 kërkesave dhe nuk heqin dorë nga bojkoti i kampionatit, teksa kanë dalë në një komunikatë për vendimet që janë marrë sot.

KOMUNIKATA E LIGËS PROFESIONISTE TË FUTBOLLIT

Liga Profesioniste e Futbollit zhvilloi sot një mbledhje të jashtëzakonshme me anëtarët e saj, ku u diskutua për vijimin e bojktotit të kampionatit dhe katër kërkesat e drejtuara qeverisë. Mbledhja u drejtua nga Kryetari i Ligës, Edvin Libohova.

LEXO EDHE: Fidel Ylli i prerë: Nisni kampionatin dhe takohemi me kryeministrin Rama

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin 10 përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore. Në këtë takim të programuar, ishte i ftuar edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ndërkaq, mbledhjes iu bashkua edhe deputeti i PS-së, Fidel Ylli, i cili është caktuar nga Kryeministri si negociator mes klubeve dhe qeverisë.

Pas diskutimeve dhe debateve që patën palët në tryezë, deputeti Ylli i kërkoi që Ligës Profesioniste të Futbollit që të përgatisë një relacion shpjegues, ku të argumentojë një për një në detaje të katërta kërkesat e klubeve dhe propozimet se si duhet të bëhen ndryshimet ligjore.

Ai garantoi që ky relacion do t’i dërgohet zyrës së Kryeministrit në mënyrë që të shqyrtohet sa me shpejt dhe që kërkesat të marrin zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Ai premtoi se kjo i hap rrugë takimit të përfaqësuesve të Ligës me Kryeministrin.

Në përfundim të mbledhjes anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit dolën me këto vendime:
Bojkoti i kampionatit është i panegociueshëm.
Përgatitja dhe dërgimi sa më shpejt i relacionit të detajuar për 4 kërkesat e klubeve drejtuar qeverisë (sot).
Heshtje shtypi, deri në mbledhjen e ardhshme, duke pritur takimin me Kryeministrin.
/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!