Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani mendon se PD nuk duhet të hyjë në Parlament. Sipas Nishanit, këto zgjedhje nuk mund të njihen dhe sa kohë ato mandate nuk mund të ligjërohen, s’ka pse shkon në Kuvend ky grup parlamentar.
“Shenja dhe mesazhi që dha z.Basha që ishte dhe arsyeja e reagimit tone të parë, ishte që tentoi të njohë rezultatin. Përveç kësaj, tentoi dhe të justifikojë dhe përgjegjësinë e tij dhe të ikë nga përgjegjësia e tij duke thënë se ne tani fillojmë betejën. Beteja ka 8 vjet që filloi dhe prej 8 vjetësh dështoi. Pra, në këtë sens unë mendoj se Partia Demokratike dhe demokratët nuk luftuan për të marrë 60 mandate dhe për të çuar 60 burra dhe gra të ndershëm në Parlament, se nuk është ai misioni. Këto zgjedhje nuk mund të njihen dhe ato mandate nuk mund të ligjërohen dhe s’ka pse shkon ky grup parlamentar në Parlament në shtator” tha ai në Vizion Plus.
Ish-presidenti deklaroi se duke larguar përgjegjësit që kanë shkaktuar humbjet e demokratëve, PD mund të shpëtojë nga asgjësimi. “Harrojeni që ka alternativë tjetër, përveç PD, për ta rrëzuar modelin e Edi Ramës. Këtë alternativë duhet ta bëjmë të aftë, të zonjën, projekt fitues. Kjo është përgjegjësia. Të rrijë Basha, të mbajë vulën dhe PD të vazhdojë të asgjesohet pak nga pak nga kokëfortësia e një njeriu.”
“PD kishte një mision, basha kishte një përgjegjësi: të fitonte zgjedhjet. Më e përçarë se sot nuk ka qenë kurrë PD. Sot në vijën e parë duhet të ketë gjeneratën e rinisë, ata duhet të jenë në vijën e parë të udhëheqjes.”
Sa i përket ndikimit të Sali Berishës brenda PD-së, Nishani tha “Ajo nuk është hije, është influencë që fitohet. Autoritet nuk imponohet, fitohet. Nëse Berisha sot ka autoritet, autoriteti, nuk është faji i Berishës. Autoriteti është vlerë, nuk është faj…E njoh shumë mirë Berishën, në kuptimin e bashkëpunimit. Berisha është një njeri që ata që e vendos e thotë, nuk ka frikë ta thotë atë që mendon. Berisha ka thënë që “unë largohem nga procesi i vendimmarrjes”.
Gjatë fushatës elektorale, shtoi Nishani, strukturat e PD nuk ishin të organizuara dhe të mbështetura financiarisht. “Ajo që kam shprehur si shqetësim është fakti që edhe në kulturën evropiane, një lider që humbet del para mbështetësve dhe merr përgjegjësi. PD gjatë fushatës nuk e kontrollonte dot territorin sepse strukturat ishin të pambështetura, të pafinancuara, të paorganizuara. Kjo ka qenë një nga elementet që është përgjegjësi e lidershipit” tha ai. Abcnews.al