Bogdani: Situatë kritike në Itali, edhe kisha e futbolli në plan të dytë

schedule18:59 - 26 March, 2020

schedule18:59 - 26 March, 2020

“Është një situatë shumë kritike. Ka 17 ditë që jam mbyllur. Në Itali e nënvlerësuan në Itali në fillim, por tani është kritike situata. Janë rreth 7500 viktima”, thotë nga përtej Adriatiku, ish-sulmuesi i mirënjohur i kombëtares, Erjon Bogdani. Në një lidhje direkte me “Studio Sprint”, “Bogu” nuk i kursen përgjigjet në pyetjet e bëra nga gazetari Gerti Çarçani.

Serie A ishte në fokus dhe ish-trajneri i Shqipërisë U19 tha: “Ka interesa të mëdha ekonomike. Në Itali janë shumë të rëndësishme kisha dhe futbolli. Tani po flasim për dy gjëra që kalojnë në plan të dytë. Tani plani është të mposhtim virusin, që po merr jetë njerëzish. Këtu nuk lejohet të dalë jashtë. Është e vështirë të fillojë kampionati në këtë situatë”.

Bogdani e pranon që nuk është e lehtë të qëndrojë në shtëpi, ku tani ai po kalon më shumë kohë me familjen. “Karantina është shumë e vështirë për ne, nuk jemi mësuar. Ka edhe diçka të mirë, po rrimë me fëmijët. Unë kam dy fëmijë, djali 10 vjeç dhe goca tetë muajsh. Tani po bëj edhe ndonjë punë shtëpie që as e kisha menduar se do e bëja ndonjëherë”, shtoi “Bogu” në lidhjen direkte me ABC News.

Karrierën si trajner e nisi me Shqipërinë U19 dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë në bisedime me disa klube, që ish-sulmuesi nuk ua zbulon emrat. “Kam nisur të mendoj diçka për të ardhmen si trajner. Kisha 2-3 diskutime me disa skuadra para se të ndodhte kjo situatë. Të mposhtim virusin njëherë. Për momentin është bllokuar gjithçka prej situatës së krijuar nga virusi. Do flas me presidentët që kam folur më përpara”, tregon Bogdani.

Në fund ai ka një porosi edhe për futbollistët, që duhet të stërviten gjatë kësaj periudhe: “Duhet të stërviten shumë lojtarët. Normalisht një profesionist duhet të ketë një mjet, që të jetë gati dhe në formë për nisjen e kampionatit. Është e vështirë. Në kushte shtëpie duhet me çdo kusht të bëjnë ndonjë stërvitje”. /abcnews.al