Bogdani: Kumbulla nuk më habit, Rrahmani goditje e Veronës

schedule12:04 - 16 Nëntor, 2019

schedule 12:04 - 16 Nëntor, 2019

Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani janë dy nga shtyllat e ekipit të Hellas Verona. Kështu mendon Erjon Bogdani, ish-sulmuesi i kombëtares që më parë ka luajtur me ekipin italian. Ai i njeh mirë edhe të dy qendërmbrojtësit, madje Marashin e ka pasur nën urdhra te Shqipëria U19.

“E kam stërvitur tek ekipi i 19-vjeçarëve, me Shqipërinë. Ishte e qartë që ishte një lojtar me perspektivë, një nga ata me karakter”, shprehet fillimisht Bogdani për “Larena.it”. Ish-sulmuesi thekson se nuk është aspak i habitur për atë që po tregon qendërmbrojtësi 19-vjeçar dhe i jep merita edhe trajnerit Juric.

Marasha Kumbulla në ndeshjen kundër Napolit

“Nuk habitem për asgjë, ai i ka djegur etapat, është  rritur shpejt dhe ka treguar karakter. Meritat janë të tijat, por edhe të trajnerit Juric, i cili e ka konsideruar një bast të tijin Marashin. Nganjëherë të duhet një sy i mprehtë, ndonjëherë guxim. Juric është udhëhequr nga ndjenjat e tij dhe të gjithë i japin të drejtë”, shtoi Bogdani.

Ai flet edhe për ecurinë e Hellas Verona, ndërkohë që ndër të tjera vlerëson edhe atë që po bën në fushë Amir Rrahmani. “Te Shqipëria U19 kam pasur edhe Rrahmanin, një tjetër djalë me vlera të mëdha. Më pas zgjodhi të luajë për Kosovën. Nuk kam ndaluar së ndjekuri atë. Është bërë kapiten i përfaqësueses së tij dhe e konsiderojnë pikë referimi. Verona bëri një marrëveshje të mirë duke e marrë atë”, ka deklaruar ish-trajneri i Shqipërisë U19. /abcnews.al