Milani zbret sërish në fushë mbrëmjen e nesërme. Kuqezinjtë presin Hellas Veronën në “San Siro” (20:45) dhe do të tentojnë fitoren për të lënë pas krahëve zhgënjimin me Lille në Europa League dhe për të vijuar kryesimin në Serie A.
Stefano Pioli ka prekur disa tema të ndryshme në konferencën e zakonshme, duke filluar nga sfida me djemtë e Ivan Juric, të cilët janë mbrojtja më e fortë në Itali për momentin, gjendja e skuadrës së tij dhe zëvendësuesi i Zlatan Ibrahimovic.
“Ndaj Lille ndodhi diçka që nuk donim të ndodhte. Nuk ia dolëm të shprehnim futbollin tonë ndaj një skuadre të fortë dhe me cilësi. Ulëm ritmin kundër kundërshtarit të gabuar dhe e pësuam. Tani duhet të zhvillojmë një ndeshje të nivelit të lartë, kompakte dhe solide.
Verona? Një tjetër mundësi për të treguar se çfarë ekipi jemi, duhet të zbresim në fushë të vendosur. Ne luajmë gjithmonë për t’u dhuruar lumturi tifozëve tanë. Do të jetë një sfidë e komplikuar me Veronën, por jam i sigurt që do të luajmë me shpirtin e duhur sportiv.
Bisedoj shpesh me lojtarët e mi, në momente të mirë dhe negative. Rëndësi ka të reagojmë si skuadër, pasi jemi të ndërgjegjshëm për kualitetin që zotërojmë. Ibra? E kam aktivizuar gjithmonë, kjo pasi kemi menduar se është zgjidhja më e mirë për të gjithë.
Romagnoli? Kritikat dhe elozhet janë gjithmonë të ekzagjeruara në botën e futbollit. Duhet të jemi gjithmonë të ekuilibruar. Alessio është lideri dhe kapiteni i Milanit, kjo gjë nuk diskutohet. Nuk ka pasur aspak fat në episodet që i kanë ndodhur në ndeshjet e fundit“, thekson Pioli. /abcnews.al