Bllokuan Rinasin, shkon në 7 numri i kontrollorëve të shoqëruar në policinë e Tiranës

schedule23:30 - 7 Prill, 2021

schedule 23:30 - 7 Prill, 2021

Ka shkuar në 7 numri i kontrollorëve që janë shoqëruar në policinë e Tiranës mbrëmjen e sotme. I pari që u shoqërua ishte Muhni Mezini, ndërsa më pas 6 të tjerët. Numri mund të rritet në orët në vijim, pasi në polici pritet që të përfundojnë të gjithë punonjësit që bënë rezistencë.

LEXO EDHE: U shoqërua, kontrollori: Jam i stresuar, mora borxh te familjarët

Prokuroria ka nisur hetimet me akuzën e shpërdorimit të detyrës për kontrollorët që me grevën e tyre kanë pezulluar fluturimet duke bllokuar punën në aeroportin e Rinasit, i vetmi që ka Shqipëria.

Shoqërimet janë bërë me urdhër të prokurorisë për shkak të kallëzimit që kompania Albcontroll ka bërë për kontrollorët që braktisën punën duke u futur në grevë, raporton gazetarja e ABC, Xhensila Kodra.

Por cfarë po ndodh në Rinas?

Aeroporti i vetëm në Shqipëri prej mëngjesit të sotëm është në kaos total, pasi nuk mund të realizohet asnjë fluturim, si në hyrje dhe dalje, përpos atyre që kalojnë në hapësirën ajrore të vendit tonë. Shkak është bërë greva e kontrollorëve që akuzojnë se u është ulur paga për shkak të pandemisë prej vitit të kaluar.

Përmes Sindikatës, avokatit, por edhe vetë drejtpërdrejt ata deklarojnë se nuk do të tërhiqen deri në momentin që do të shfuqizohet vendimi që u uli pagat. Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën dhe Ilir Metën se qëndron pas bllokimit të Rinasit, ndërsa kontrollorëve u vendosi ultimatum që të rikthehen në punë deri nesër, në të kundërt do të largohen.

Ministrja Balluku e cilësoi veprimin e kontrollorëve grusht shteti dhe pengmarrje me prapavijë politikë, ndërsa pasditen e sotme dërgoi në Rinas ushtrinë dhe policinë për të marrë në dorë kullën e kontrollit me argumentin se është objekt me rëndësi të veçantë./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!