Bllokoi negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë, Parlamenti bullgar vendos për qeverinë e Petkovit

schedule09:37 - 22 Qershor, 2022

schedule 09:37 - 22 Qershor, 2022

Vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, qeveria e koalicionit bullgar e kryesuar nga Kirill Petkov përballet të mërkurën, më 22 Qershor me një mocion mosbesimi, duke shkaktuar paqëndrueshmëri të re politike në shtetin anëtar më të varfër të BE-së.

Mocioni i mosbesimit u ngrit nga partitë opozitare mbi “dështimin në politikën financiare dhe ekonomike të kabinetit aktual”.

Mbështetje për mocionin e mosbesimit deri më tani kanë shprehur edhe partitë e tjera opozitare – partia e turqve etnikë dhe myslimanëve të tjerë në Bullgari Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS) dhe partia nacionaliste “Vëzrazhdane”, si dhe partia e Sllavi Trifonovit “Ka një popull të tillë” (ITN), e cila u shkëput nga koalicioni në pushtet.

Votimi pritet pas orës 19:00 me orën lokale. Mocioni ka nevojë për 121 vota për të kaluar në parlament. Aktualisht, koalicioni qeverisës ka mbështetjen e vetëm 109-të deputetëve nga 240-të ligjvënës në parlament.

Gjashtë deputetë nga grupimi ITN pritet gjithashtu të mbështesin qeverinë, por shpresa e vetme e saj për të mbajtur pushtetin varet nga mundësia që më shumë deputetë të ITN-së të votojnë kundër rrëzimit të qeverisë në minutën e fundit.

Nëse mocioni do të ketë sukses, ai do të jetë votimi i parë i mosbesimit në historinë demokratike të Bullgarisë dhe pothuajse me siguri do të çojë në zgjedhje të reja në vendin me 6.5 milionë banorë.

Qeveria e Petkovit erdhi në pushtet me zotimin për të luftuar me vendosmëri korrupsionin, për të hequr nga detyra prokurorin e Përgjithshëm, Ivan Geshev dhe kreun e Komisionit Anti-korrupsion, Sotir Tsatsarov. Po ashtu u zotua se do të forcojë fuqitë e komisionit. Dorëheqja e Tsatsarovit erdhi e para.

Më 9 Qershor, një projektligj për të zgjeruar fuqitë e Komisionit Anti-korrupsion u dorëzua në Parlament. Deputetët e partisë ‘Ka një popull të tillë’ kishin kritika të ashpra dhe akuzuan Petkovin se po tenton që ta instalojë “Geshevin e tij”. Ligjvënësit nga partia Ne vazhdojmë ndryshimin, me gjasë e panë këtë si sulm politik nga ish-partnerët e koalicionit dhe i akuzuan ata se po e sabotonin këtë përpjekje.

Ndërkohë, komisioni i politikës së jashtme i parlamentit të Bullgarisë, sot do të shqyrtojë edhe propozimin francez për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Maqedoninë e Veriut.

Në bazë të vlerësimeve do të njoftohet nëse Sofja do ta heqë veton e saj ose jo, gjë e cila ka bllokuar dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Të martën më 21 qershor, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, paralajmëroi lajme pozitive për negociatat. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!