Bllokohet blerja e kompanisë së video-lojërave Activision nga Microsoft, shkak konkurenca

schedule14:15 - 26 Prill, 2023

schedule 14:15 - 26 Prill, 2023

Marrëveshja prej 68.7 miliardë dollarësh e Microsoft për të blerë kompaninë e video- lojërave Activision Blizzard është bllokuar në MB nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve.

Microsoft dhe Activision kundërshtuan vendimin dhe thanë se do të apelonin. Brad Smith, nënkryetar dhe president i Microsoft, tha se kompania ishte ende e përkushtuar ndaj marrëveshjes.

“Vendimi i CMA refuzon një rrugë pragmatike për të adresuar shqetësimet e konkurrencës dhe dekurajon inovacionin teknologjik dhe investimet në Mbretërinë e Bashkuar,” tha ai.

“Ne kemi nënshkruar tashmë kontrata për t’i bërë të disponueshme lojërat e njohura të Activision Blizzard në 150 milionë pajisje të tjera dhe ne mbetemi të përkushtuar për të përforcuar këto marrëveshje përmes mjeteve juridike rregullatore.

Marrëveshja duhet të miratohet nga organet rregullatore në Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. CMA është i pari nga tre rregullatorët që vendos, që do të thotë se vendimi i tij mund të prishë të gjithë marrëveshjen.

Por Martin Coleman, i cili kryesoi një panel të pavarur që hetoi propozimin për rregullatorin, tha se ishte jetike për të mbrojtur konkurrencën në “tregun në zhvillim dhe emocionues” të lojërave cloud.

“Microsoft tashmë gëzon një pozicion të fuqishëm ndaj konkurrentëve të tjerë dhe kjo marrëveshje do ta forconte atë avantazh duke i dhënë aftësinë për të minuar konkurrentë të rinj dhe inovativë,” shtoi ai.

Ai tha se Microsoft kishte paraqitur plane për të adresuar shqetësimet e CMA, por ato nuk ishin efektive.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!