Ndërprerja e furnizimit me naftë dhe gaz përmes Ngushticës së Hormuzit, si pasojë e luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, ka sjellë një rritje të menjëhershme të çmimeve të energjisë në nivel global
Çmimi i karburantit ka nisur të rritet dhe pritet që faturat e ngrohjes për familjet të ndjekin të njëjtin trend. Por ndikimi nuk ndalet vetëm te energjia. Përmes kësaj ngushtice kalojnë edhe shumë produkte dhe lëndë të para jetike për ekonominë botërore.
Sipas BBC-së ulja drastike e numrit të anijeve që kalojnë në Hormuz, nga mbi 100 në ditë para konfliktit në vetëm pak tani, mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e ushqimeve, ilaçeve dhe teknologjisë.
Plehrat kimike (Ushqimi)
Një nga goditjet më të mëdha pritet të ndjehet në bujqësi. Vendet e Gjirit prodhojnë në sasi të mëdha produkte petrokimike që përdoren për plehra kimike, dhe një pjesë e madhe e këtyre kalon pikërisht përmes Hormuzit. Sipas të dhënave ndërkombëtare, rreth një e treta e plehrave në botë kalon nga kjo rrugë
Problemi është se ndërprerja ka ardhur në një moment kritik. Marsi dhe prilli janë periudha kur fermerët në hemisferën veriore nisin mbjelljen e produkteve bujqësore. Nëse ata nuk kanë mjaftueshëm plehra tani, pasojat nuk ndihen menjëherë, por më vonë, kur prodhimi bie dhe çmimet e ushqimeve rriten. Ekspertët paralajmërojnë se edhe një ndërprerje e shkurtër mund të ndikojë gjithë sezonin bujqësor, me pasoja që zgjasin shumë më gjatë se vetë kriza.
“Edhe një mbyllje relativisht e shkurtër mund të prishë gjithë sezonin e mbjelljes, me pasoja për sigurinë ushqimore që zgjasin edhe pasi ngushtica të rihapet”, thonë studiuesit e Institutit Kiel.
Sipas tyre, një mbyllje e plotë e Hormuzit mund të rrisë çmimin global të grurit me 4.2% dhe të frutave e perimeve me 5.2%.
Ndër vendet më të prekura nga rritja e çmimeve të ushqimit pritet të jenë Zambia, Sri Lanka, Tajvani dhe Pakistani.
Rusia, që furnizon rreth një të pestën e plehrave në botë, mund të rrisë prodhimin për të mbushur boshllëkun.
Heliumi (Mikroçipet)
Rreth një e treta e furnizimit global me helium vjen nga Katari dhe kalon përmes Ngushticës së Hormuzit
Heliumi është nënprodukt i prodhimit të gazit natyror dhe përdoret për prodhimin e pllakave gjysmëpërçuese që shndërrohen në mikroçipe, të përdorura në kompjuterë, automjete dhe pajisje shtëpiake.
Ai përdoret gjithashtu për ftohjen e magneteve në pajisjet e rezonancës magnetike në spitale.
Impianti i madh Ras Laffan në Katar ka ndaluar prodhimin pas sulmeve me raketa dhe dronë nga Irani.
Qeveria e Katarit ka paralajmëruar se mund të duhen tre deri në pesë vite për riparimin e dëmeve, duke rritur shqetësimet për furnizimin.
Në vitin 2023, Shoqata Amerikane e Industrisë së Gjysmëpërçuesve paralajmëroi për rritje çmimesh nëse furnizimi global me helium ndërpritet.
Analistët thonë se kjo mund të çojë në rritje të çmimeve për teknologjitë e avancuara, nga telefonat inteligjentë te qendrat e të dhënave.
Eksperti i shëndetit global, Prashant Yadav, paralajmëron se mungesa e heliumit mund të rrisë edhe kostot e rezonancave magnetike.
Derivatet petrokimike (Ilaçet)
Derivatet petrokimike si metanoli dhe etileni janë materiale thelbësore për prodhimin global të ilaçeve, përfshirë antibiotikët, qetësuesit e dhimbjes dhe vaksinat
Vendet e Gjirit përbëjnë rreth 6% të kapacitetit global të prodhimit petrokimik dhe përdorin kryesisht Ngushticën e Hormuzit për eksport.
India prodhon rreth një të pestën e ilaçeve gjenerike në botë, shumë prej të cilave eksportohen në SHBA dhe Evropë.
Shumë prej këtyre produkteve transportohen edhe përmes qendrave ajrore në rajon, si Dubai, që janë prekur nga konflikti.
Squfuri (Metalet dhe bateritë)
Squfuri është një tjetër nënprodukt i përpunimit të naftës dhe gazit dhe prodhohet në sasi të mëdha në rajonin e Gjirit
Rreth gjysma e tregtisë globale detare të squfurit kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai përdoret kryesisht si pleh kimik, por është gjithashtu thelbësor për përpunimin e metaleve.
Squfuri përdoret për prodhimin e acidit sulfurik, i cili shërben për përpunimin e bakrit, kobaltit dhe nikelit, si dhe për nxjerrjen e litiumit.
Të gjitha këto metale janë të domosdoshme për prodhimin e baterive, që përdoren në pajisje shtëpiake, automjete elektrike dhe pajisje ushtarake si dronët dhe nëse furnizimi me squfur vazhdon të ndërpritet, çmimet për produktet që përmbajnë bateri do të rriten.
BBC paralajmëron se çdo përshkallëzim që prek Ngushticën e Hormuzit nuk prek vetëm rajonin, por prek drejtpërdrejt xhepin dhe jetën e përditshme të njerëzve në gjithë botën.


