Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Bllokadë aktivistëve në Gaza/ Izraeli bllokon 37 organizata humanitare, nuk kishin verifikuar punonjësit

schedule16:27 - 31 Dhjetor, 2025

schedule 16:27 - 31 Dhjetor, 2025

Izraeli ka njoftuar se do tiu heq lejet e aktivitetit 37 organizatave humanitare që veprojnë në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, duke argumentuar se ato nuk kanë përmbushur kërkesat e reja të regjistrimit. Sipas autoriteteve izraelite, pezullimi i licencave do të hyjë në fuqi më 1 janar, ndërsa organizatat do të duhet të përfundojnë aktivitetin e tyre brenda 60 ditësh.

Mes organizatave të prekura janë edhe disa nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare më të njohura, si ActionAid, International Rescue Committee dhe Norwegian Refugee Council. Qeveria izraelite tha se këto organizata, ndër të tjera, nuk kanë dorëzuar të dhëna të plota dhe të verifikueshme personale për stafin e tyre.

Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare. Ministrat e jashtëm të dhjetë vendeve – Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Islanda, Japonia, Norvegjia, Suedia dhe Zvicra – e kritikuan masën si “kufizuese” dhe “të papranueshme”. Në një deklaratë të përbashkët, ata paralajmëruan se mbyllja e detyruar e operacioneve të OJQ-ve ndërkombëtare do të ketë “ndikim të rëndë në qasjen ndaj shërbimeve thelbësore, përfshirë kujdesin shëndetësor”, duke theksuar se situata humanitare në Gaza mbetet “katastrofike”.



Ministria izraelite e Çështjeve të Diasporës, e cila është përgjegjëse për aplikimet e regjistrimit, deklaroi se masat e reja nuk do të ndikojnë në rrjedhën e ndihmës humanitare drejt Gazës. Sipas saj, ndihmat vazhdojnë të shpërndahen përmes “kanaleve të miratuara dhe të verifikuara”, përfshirë agjencitë e OKB-së, partnerët dypalësh dhe organizata të tjera humanitare.

Autoritetet izraelite theksuan se arsyeja kryesore e heqjes se lejeve per ushtrim te aktivititeti është “refuzimi për të ofruar informacion të plotë dhe të verifikueshëm për punonjësit”, duke argumentuar se kjo është thelbësore për të parandaluar “infiltrimin e elementëve terroristë në strukturat humanitare”.

Nga ana tjetër, Trupi Humanitar i Vendit për Territoret e Okupuara Palestineze, një forum që përfshin agjenci të OKB-së dhe mbi 200 organizata vendore e ndërkombëtare, ka paralajmëruar më herët se sistemi i ri i regjistrimit “rrezikon në mënyrë thelbësore” operacionet humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Sipas këtij forumi, kriteret janë të paqarta, arbitrare dhe të politizuara, duke e bërë të pamundur për organizatat humanitare t’i përmbushin pa shkelur parimet bazë humanitare dhe detyrimet ndërkombëtare.

Forumi thekson se OJQ-të ndërkombëtare aktualisht drejtojnë ose mbështesin shumicën e spitaleve fushore në Gaza, qendrat e kujdesit parësor shëndetësor, strehimin emergjent, shërbimet e ujit dhe kanalizimeve, si dhe qendrat e ushqyerjes për fëmijët me kequshqyerje akute.

Ndër organizatat e tjera që do të pezullohen janë edhe CARE, Medico International dhe Medical Aid for Palestinians. Ministri izraelit për Çështjet e Diasporës dhe Luftën kundër Antisemitizmit, Amichai Chikli, deklaroi se “ndihma humanitare është e mirëpritur, por shfrytëzimi i kornizave humanitare për terrorizëm nuk do të tolerohet”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!