Blinken: Zhvillmi i teknologjive të reja të mbështesë vlerat demokratike

schedule15:47 - 18 Mars, 2024

schedule 15:47 - 18 Mars, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken theksoi sot nevojën që zhvillmi i teknologjive të reja të mbështesë vlerat demokratike. Ai tha në Takimin e tretë për Demokracinë, që u mbajt në Seul të Koresë së Jugut të hënën, se regjimet autoritare përdorin teknologjinë për të minuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se teknologjia duhet të përdoret për të mbështetur vlerat demokratike përballë përpjekjeve të regjimeve autoritare, që duan ta përdorin teknologjinë për të minuar demokracinë dhe për të dëmtuar të drejtat e njeriut.

Zoti Blinken i bëri komentet të hënën në Takimin e tretë për Demokraci, që po zhvillohet në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.

Sekretari Blinken u tha të pranishmëve se qeveritë duhet të sigurohen që e ardhmja e teknologjisë të jetë gjithëpërfshirëse.

“Demokracitë tona nuk janë paprekshme nga dëmet që mund të shkaktojë keqpërdorimi i inteligjencës artificiale, duke përfshirë zgjedhjet që bëjnë kompanitë e teknologjisë në zhvillimin e inovacioneve të tyre; nga mundësia e qytetarëve tanë që të kenë më pak qasje për të ndjekur burime të ndryshme mediatike për shkak të dështimeve të inteligjencës artificiale. Motorët e kërkimit në internet mund të krijojnë diskriminim dhe paragjykime, që prekin pakicat racore dhe etnike”, deklaroi zoti Blinken.

Ai përsëriti akuzat e Uashingtonit se Rusia dhe Kina qëndrojnë pas fushatave globale që synojnë manipulimin e informacionit. Disa zyrtarë evropianë kanë akuzuar gjithashtu Rusinë për kryerjen e fushatave dezinformuese duke përdorur inteligjencën artificiale.

Në fjalimin e tij, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol tha se vendet kanë për detyrë të ndajnë përvojat dhe aftësitë në mënyrë që inteligjenca artificiale dhe teknologjia të mund të përdoren për të promovuar demokracinë.

“Përdorimi i lajmeve të rreme dhe informacionit të rremë përmes inteligjencës artificiale dhe teknologjisë dixhitale jo vetëm që shkel liritë individuale dhe të drejtat e njeriut, por kërcënon gjithashtu sistemet demokratike. Për më tepër, teknologjia dixhitale mund të krijojë një hendek midis kombeve dhe zgjeron pabarazitë ekonomike, gjë që nga ana tjetër përkeqëson ndjeshëm vlerat demokratike”, tha ai.

Takimi për Demokracinë, i organizuar nga Koreja e Jugut, është një iniciativë e Presidentit amerikan Joe Biden që synon të diskutojë mënyrat për forcuar demokracinë, mbrojtjen kundër autoritarizmit, luftën kundër korrupsionit dhe respektimi i të drejtave të njeriut. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!