Blinken, vizitë në Irak/ Diskuton me kryeministrin për tranzicionin e Sirisë

schedule19:35 - 13 Dhjetor, 2024

schedule 19:35 - 13 Dhjetor, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken bëri një vizitë të papritur në Irak, ku u takua me kryeministrin Mohammed Shia al-Sudani, me të cilin diskutoi tranzicionin politik të Sirisë.

Blinken përsëriti thirrjen për një administratë josektare pas rënies së Bashar al Assad dhe mbrojtjen e pakicave për të mos e bërë Sirinë një bazë për terrorizmin.

Diplomati më i lartë i SHBA-së po bën një tur në Lindjen e Mesme për të krijuar një front të bashkuar me aleatët arabë dhe turq mbi grupin e parimeve që Uashingtoni shpreson se do të udhëheqin tranzicionin politik të Sirisë.

Administrata e presidentit Joe Biden, së bashku me qeveritë në rajon dhe në Perëndim është përpjekur të kapërcejë pasojat kaotike të sundimit shtypës prej dekadash të familjes Assad dhe ka filluar të angazhohet me grupet rebele siriane duke përfshirë fraksionin kryesor rebel Hayat Tahrir al-Sham.

Pas vizitës në Irak Blinken do të rikthehet në Jordani, ku do të marrë pjesë në një takim të ministrave të jashtëm arabë dhe turq për të diskutuar mbi Sirinë.

Ndërkohë Izraeli vijon t’i shprehë qartë synimet e tij në Siri.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka urdhëruar trupat izraelite të përgatiten për të qëndruar gjatë dimrit në malin Hermon, një vend strategjik me pamje nga Damasku.

Urdhri sugjeron që trupat izraelite që u zhvendosën në një zonë tampon brenda territorit sirian, si dhe disa pika shtesë pas rënies së qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, ka të ngjarë të mos largohen.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha më parë se trupat do të qëndrojnë derisa të ketë një forcë efektive për të zbatuar Marrëveshjen e Ndarjes së Forcave të nënshkruar pas luftës arabo-izraelite të vitit 1973.

Një numër vendesh, duke përfshirë Francën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, e kanë dënuar inkursionin e Izraelit, duke e quajtur atë shkelje të marrëveshjes që pasoi luftën arabo-izraelite.

Por Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetjen e tyre, duke thënë se masa ishte e nevojshme për vetëmbrojtjen e Izraelit. / abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!